Shkrimtari - Danilo Clementoni 2 стр.


«Tetëdhjetë sekonda nga vetëshkatërrimi» njoftoi përsëri zëri i ngrohtë dhe i qetë femëror i sistemit qendror.

«Jepi Zak» bërtiti Petri. «Nuk nga mbetet shumë kohë, duhet t’ia mbathim.»

«Por nuk mund të bëjmë asgjë fare për të ndërprerë sekuencën?» ia ktheu Azakisi i mërzitur.

«Për fat të keq jo, miku im. Përndryshe do ta kisha bërë tashmë, si thua ti?»

«Por nuk është e mundur» tha komandanti ndërkohë që shoku i tij i aventurave po e tërhiqte prej krahu, në drejtim të modulit të komunikacionit të brendshëm numër tre.

«Në fakt, mund edhe të bëhet provë për të ndërprerë proçedurën në mënyrë manuale por do të duheshin të paktën tridhjetë minuta, dhe ne kemi a s’kemi një minutë kohë.»

«Prit, ndalo» thirri atëherë Azakisi duke u liruar nga shtrëngimi i fortë i mikut me vetëm një tërheqje të krahut. «Nuk mund ta lëmë të shpërthejë këtu. Vala e energjisë e shkaktuar nga shpërthimi do të arrinte në tokë brenda pak minutave dhe pjesa e ekspozuar e planetit do të preket nga një valë goditjeje gjigande që do të shkatërronte gjithçka që do hasë gjatë kalimit.»

«Tashmë e kam bërë gati komandimin e Theosit nga anija. Do ta zhvendosim sapo të kemi hipur, gjithmonë nëse ti luan nga vendi» e qortoi Petri ndërsa i kapte sërish krahun mikut të tij dhe e tërhiqte peshë në drejtim të modulit.

«Gjashtëdhjetë sekonda nga vetëshkatërrimi.»

«Po ku kërkon ta zhvendosësh?» vazhdoi Azakisi ndërkohë që dera e modulit të komunikacionit të brendshëm po hapej në kabinën e anijes në nivelin gjashtë. «Nuk do të mjaftojë një minutë për të arritur një distancë të tillë nga...»

«A do pushosh së dërdëllituri?» ia preu fjalën Petri. «Mbylle sqepin dhe ulu aty. Tani do merrem unë me këtë.»

Azakisi, pa dhënë asnjë koment tjetër, iu bind urdhrit dhe zuri vend mbi kolltukun ngjyrë gri në krah të panelit qendror. Ashtu siç kishte bërë me dhjetëra herë në situata po kaq të rrezikshme, vendosi t’i besonte plotësisht aftësisë dhe eksperiencës së shokut të tij. Ndërkohë që Petri, gjithë zell, merrej me një sërë hologramesh manovrimi tredimensionale, mendoi të kontrollonte se si kishte përfunduar evakuimi i pjesës tjetër të ekuipazhit, duke kontaktuar ndërkohë pilotët një e nga një. Në pak sekonda konfirmuan shkëputjen e anijeve nga anija kozmike mëmë. Ishin duke u larguar me shpejtësi. Komandanti nxori një frymëmarrje të thellë prej lehtësimit dhe e drejtoi sërish vëmendjen tek manovrat mjeshtërore të mikut të tij.

«Tridhjetë sekonda nga vetëshkatërrimi.»

«Dolëm jashtë» u shpreh Petri. «Tani po zhvendos Theosin.»

«Çfarë mund të bëj për të të ndihmuar?»

«Asgjë, mos u bëj merak. Je në duar të sigurta» dhe i shkeli syrin e djathtë, ashtu siç ia kishin mësuar miqtë e tij tokësorë. «Do ta pozicionoj anijen pas hënës. Që aty nuk do të mund të shkaktojë asnjë dëm.»

«Dreq» u shpreh Azakisi. «Nuk më kishte ardhur fare në mend.»

«Po për këtë gjë jam këtu, apo jo?»

«Vala e shpërthimit do të përplaset mbi satelitin i cili do të thithë të gjithë energjinë. Je fenomen miku im.»

«Dhe që natyrisht nuk do të shkaktojë dëme në hënë» vazhdoi Petri. «Atje nuk ka gjë tjetër përveçse shkëmbinj dhe kratere.»

«Dhjetë sekonda nga vetëshkatërrimi.»

«Pothuajse ia dola...» foli Petri me një fije zëri.

«Tre... Dy... Një...»

«U krye. Theosi është në pozicion.»

Tamam në këtë moment, mbi faqen e padukshme të Hënës, në kordinatat gjerësi gjeografike 24,446471 dhe gjatësi gjeografike 152,171308 në gradë dhjetore, pikërisht në vendin ku tokësorët e kishin quajtur krateri Komarov, u vu re një lëvizje e pazakontë telurike. Mbi sipërfaqen e shkretuar dhe me gunga të kraterit, sikur të qe futur me forcë një teh i stërmadh i padukshëm, u hap një çarje e madhe dhe e thellë nga konturet jashtëzakonisht të përsosura. Menjëherë pas kësaj, sikur të qe goditur direkt në brendësi të kraterit, kërceu jashtë me forcë një objekt i pazakontë në formë vezake me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe u drejtua për nga hapësira, me një trajektore në pjerrësi tridhjetë gradë nga drejtimi vertikal. Objekti vazhdoi të ishte i dukshëm vetëm për pak sekonda para se të zhdukej përfundimisht në një vetëtimë drite në ngjyrë kaltëroshe.

Nga e çara në formë eliptike që të lejonte të shikoje përjashta, një dritë verbuese ndriçoi hapësirën e zezë dhe të ftohtë aty jashtë, duke e pushtuar anijen nga brenda me një dritë thuajse ireale.

«Miku im, si thua sikur të lëvizim që këtej?» sugjeroi Azakisi shumë i merakosur, ndërkohë që sodiste valën e energjisë që po zmadhohej dhe po afrohej me shpejtësi afër vendit ku gjendeshin.

«Më ndiqni» bërtiti Petri tek komunikuesi, duke iu drejtuar pilotëve të anijeve të tjera. Pastaj, pa folur më tej, manovroi mjetin dhe e zhvendosi atë me shpejtësi duke e fshehur pas faqes së hënës që është gjithmonë e kthyer në drejtim nga Toka. «Mbahuni fort» shtoi, ndërkohë që kapej fort pas krahëve të karriges së komandimit ku ishte ulur.

Në heshtje absolute, pritën që të kalonin sekonda pa fund, me vështrimin e ngulitur mbi ekranin qendror, duke shpresuar se zhvendosja e papritur e Theosit do të arrinte të shmangte një katastrofë në Tokë.

«Vala e energjisë po përhapet në hapësirë» foli Petri me qetësi. Bëri një pauzë të shkurtër pastaj, pasi kishte verifikuar një varg mesazhesh të pakuptueshme të shfaqur në hologramet që kishte përpara, shtoi «Dhe hëna e ka thithur në mënyrë të përsosur atë pjesë të drejtuar nga planeti.»

«Bah, më duket se ke bërë tamam një punë të shkëlqyer, plako» komentoi Azakisi pasi kishte rifilluar përsëri të merrte frymë.

«E vetmja që është rrezikuar vërtet ka qenë hëna e gjorë. Ka marrë tamam një goditje të mirë.»

«Mendo se çfarë mund të kishte ndodhur nëse vala do të arrinte mbi Tokë.»

«Do të kishte bërë fërtele gjysmën e planetit.»

«A jeni të gjithë mirë?» nxitoi të pyeste Azakisi, përmes komunikuesit, të gjithë pilotët e tjerë të cilët, duke ndjekur manovrat e Petrit, i kishin pozicionuar edhe anijet e tyre që mos dukeshin nga sateliti. Në vazhdim erdhën përgjigje qetësuese dhe, pas konfirmimit të komandantit të fundit mbi gjendjen e shkëlqyer si të ekuipazhit ashtu edhe të mjetit, u lëshua rëndë mbi shpinën e kolltukut dhe nxori të gjithë ajrin që kishte brenda në mushkëri.

«Vajti mirë» komentoi Petri i kënaqur.

«Ashtu është, po si do t’ia bëjmë tani? Theosi nuk është më. Si do të kthehemi në shtëpi?»

Tell el-Mukayyar – Vetëtimë në qiell

Në bazën e kampit të profesoreshës Elisa Hanter, macka Lulù, pasi kishte zbritur nga krahu i arkeologes, nisi të vërtitej me nervozizëm rreth e qark me vështrimin e ngulitur drejt qiellit. Dielli ishte duke perënduar dhe një hënë shumë e bukur thuajse e plotë ishte tashmë lart në horizont.

«Lulù, çfarë ke?» pyeti Elisa paksa e merakosur, e kthyer nga macka e saj nervoze.

«Duhet të jetë e trishtuar pasi do ta ketë kuptuar se miqtë tanë u larguan» komentoi Xheku fare shkurt, duke u përpjekur ta ngushëllonte me ndonjë fërkim poshtë mjekrës.

Fillimisht macka u duk se po i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes, duke mjaullitur dhe fërkuar turirin tek dora e madhe e kolonelit. Por papritur, ngriu në vend, bëri një qëndrim të pazakontë dhe ktheu vështrimin në drejtim të satelitit të zbehtë të Tokës. Të dy, gjithë kureshtje nga ajo sjellje e çuditshme e saj, u kthyen instiktivisht edhe ata në po atë drejtim. Ajo që panë pas pak çastesh i la gati pa frymë. Një shkëlqim verbues jonormal u duk sikur mbështolli hënën. Një dritë shumë e bardhë, që u përhap në një sipërfaqe dhjetë herë më të madhe se diametri i satelitit, formoi një tip kurore përreth saj. Kjo zgjati vetëm pak sekonda por thuajse ngjante sikur një diell tjetër ishte shfaqur papritmas në qiellin e mugëtirës, duke ndriçuar të gjithë zonën me një dritë aspak natyrale.

«Po ça dreqin...» arriti vetëm të pëshpëriste koloneli i shtangur.

Ashtu siç ishte shfaqur, drita jonormale u venit dhe u duk se gjithçka u kthye tamam si më parë. Hëna ishte gjithmonë aty dhe dielli vazhdonte me përtaci zbritjen e tij mbrapa dunave që dalloheshin në horizont.

«Po ça ka qenë vallë?» pyeti Elisa me habi.

«Nuk kam as idenë më të vogël.»

«Për një çast pata frikë se mos shpërthente hëna.»

«Qe me të vërtetë e jashtëzakonshme» u shpreh koloneli ndërkohë që, me dorën e vendosur mbi vetull, vështronte qiellin e kthjellët në kërkim të ndonjë shenje.

«Azakisi... Petri...» foli Elisa papritur. «Duhet t’u ketë ndodhur diçka, e ndjej.»

«Ec tani, mjaft me këto. Ndoshta ka qenë vetëm efekti i ndezjes së motorëve të anijes së tyre.»

«Nuk është e mundur. Ngjante fiks si një eksplozion i vërtetë. Ti duhej të dije diçka më shumë se unë në fushën e materies, apo jo?»

«Zemër» komentoi me durim koloneli. «Për të parë pasojat e një eksplozioni të tillë nga gjithë kjo largësi, mbi hënën do të ishin dashur të shpërthenin njëkohësisht të paktën njëqind bomba atomike ose ndoshta edhe një mijë të tilla.»

«Po ça ka ndodhur atëherë?»

«Mund të provojmë të pyesim miqtë tanë ushtarakë. Fundja unë jam akoma pjesë e ELSAD-it. Me gjithë ato pajisje të drejtuara nga qielli, një ngjarje e këtillë natyrisht që nuk do t’u ketë shpëtuar.»

«Edhe Lulùja i ra në të.»

«Besoj se kjo mackë është shumë më inteligjente nga ne të dy të marrë së bashku.»

«Kafshët shtëpiake janë një racë superiore» tha Elisa ndërkohë që po merrte sërish mackën në krahë. «Akoma nuk e kishe kuptuar?»

«Tamam. Me duket se edhe egjiptianët e lashtë i adhuronin gati si perëndi.»

«Fiks ashtu është, i dashur» tha Elisa, e gëzuar që diskutimi ishte futur në një fushë që e njihte më së miri. «Bastet, për shembull, ishin një nga perënditë më të rëndësishme dhe më të adhuruara të fesë së lashtë egjiptiane, portretizuar ose me pamje femërore dhe kokë maceje ose direkt si mace. Në origjinë Bastet ishin një perëndi e kultit të diellit por me kalimin e kohës u bënë gjithnjë e kultit të hënës. Në kohën kur ndikimi grek u shtri mbi shoqërinë egjiptiane, Bastet përfundimisht u bënë thjesht një Perëndi hënore, në atë që Grekët e identifikonin me Artemidën, personifikimi i "Hënës që zmadhohet".»

«Po, në rregull. Faleminderit për leksionin, e nderuara profesoreshë» tha Xheku me ironi, duke e vënë theksin tek ajo ça tha dhe duke bërë një përkulje të lehtë. «Por tani të mundohemi të kuptojmë se çfarë dreqin po ndodh aty lart. Po bëj nja dy telefonata.»

«Kur të duash, jam gjithmonë në dispozicionin tënd, zemër» iu përgjigj Elisa, duke ngritur ngadalë zërin ndërkohë që koloneli largohej në drejtim të tendës laboratorike.

Lulùja, që kishte rënë prapë në qetësi, me sytë e mbyllur i gëzohej ledhatimeve pa masë që po i jepte mikesha e saj.

Anija gjashtë – Inspektimi hënor

Pasi dora e padukshme e frikës që i kishte trazuar stomakun më në fund vendosi ta linte të qetë, Azakisi kishte nisur të vërtitej me nervozizëm përgjatë kabinës së anijes duke belbëzuar fjalë pa kuptim.

«A do pushosh së vërtituri rreth e rrotull si një turrjelë?» e qortoi Petri. «Kështu do konsumosh dyshemenë dhe do përfundojmë duke fluturuar nëpër hapësirë si dy satelitë të vjetër jashtë përdorimit.»

«Po si ia del që të jesh kaq i qetë? Theosi përfundoi i shkatërruar, gjendemi me miliona kilometra nga planeti ynë mëmë, nuk mund të kontaktojmë me asnjeri gjithashtu, edhe nëse do të arrinim, do të ishte e pamundur që të vinte të na merrte dikush, dhe ti? Je shtrirë sa gjatë e gjerë në kolltuk si të gjendeshe me pushime dhe të ishe ulur mbi shkëmbinjtë në gjirin e Saraanit për të shijuar pamjen e perëndimit të diellit.»

«Rri i qetë plako, rri i qetë. Do ta shohësh se një zgjidhje do ta gjejmë.»

«Për momentin nuk më vjen në mend asnjë zgjidhje.»

«Sepse je i acaruar. Janë valët gama që po lëshon ai truri yt i gjorë dhe i tensionuar dhe që të pengojnë të llogjikosh me kthjelltësi.»

«A thua?»

«Sigurisht» iu përgjigj Petri me një buzëqeshje rrëzëllitëse. «Hajde dhe ulu pranë meje, merr frymë mirë dhe mundohu të relaksohesh. Do ta shohësh se në një kohë shumë të shkurtër gjithçka do të marrë tjetër formë.»

«Do të jetë ashtu siç thua ti, miku im» tha Azakisi ndërkohë që, duke ndjekur këshillën e shokut, e lëshoi trupin mbi kolltukun ngjyrë gri të pilotit të dytë «por në këtë moment mund të bëj gjithçka me përjashtim të relaksit.»

Назад Дальше