Një Flluskë Jashtë Kohe - Andrea Calo' 3 стр.


«Nëse kjo mund tju ndihmojë, po prezantohem. Emri im është John. John Beal», tha duke më zgjatur dorën. U ndjeva e detyruar të replikoj, të shpalos faktet e mia në një tavolinë me fytyrë zbuluar. Një gjë që nuk do kisha dashur kurrë në një qytet ose ndaj njerëzve plotësisht të huaj për mua.

«Katherine Fortuna», u përgjigja pa e parë në sy, ndërsa sistemoja portofolin në xhepin e brendshëm të çantës sime.

«Fortuna? Është një mbiemër italian, nëse nuk gaboj», tha i habitur dhe me një shprehje budallai në fytyrë.

«Po, Fortuna është një mbiemër italian», replikova, e bezdisur dukshëm nga këmbëngulja e tij që donte të vazhdonte me çdo kusht një bisedë që unë e quaja tashmë të përfunduar apriori.

«Mund të insistoj tju ofroj një pasazh atëherë, Katherine?». Këmbëngulte. Po filloja mos ta duroja dot më. Sidoqoftë, një pasazh do më kishte bërë vërtet punë në atë mbrëmje të akullt dimërore.

«Sa larg është nga këtu?», pyeta gjithmonë e më shumë e vrazhdë.

«Një gjysmë ore, do të thoja, duke parë kushtet e rrugëve. Makina ime është e parkuar këtu jashtë, ejani me mua, më ndiqni. Ndërkohë, mbulohuni mirë, jashtë bën shumë ftohtë», u përgjigj ndërsa vishte pallton e tij të gjatë mbi xhaketën elegante gri që, kuptova, fshihte gjithashtu një kravatë të bukur, të kuqe, të lidhur mirë nën jakën e një këmishe të bardhë. U ofrua të merrte valixhen time dhe e tërhoqi pas vetes. Ndoqa këshillën e tij dhe vesha xhakaventon që kisha lidhur rreth belit para se të zbrisja nga avioni. Në sytë e tij si i zoti i shtëpisë duhet të jem dukur një provinciale e shkretë dhe e paaftë. Vazhdonte me hap të sigurt, hapat e tij ishin aq të gjata saqë po lodhesha ta arrija. Fillova të ndieja dihatje në frymën time dhe zemrën që më rrihte fort, kështu që ndalova papritmas.

«Dëgjoni John filani apo si dreqin quheni. Keni ndërmend të bëni një maratonë? Një garë? Nëse është kështu ma thoni, të paktën të ndërroj këpucët dhe të bëhem gati!». Ai u kthye me një kthesë elegante dhe të saktë të qafës dhe më buzëqeshi.

«Keni të drejtë Katherine, më falni. Është zakoni im i pafalshëm. Unë vrapoj gjithmonë. Ju lutem, merrni frymë. Merrni gjithë kohën që ju duhet, pastaj do vazhdojmë më me ngadalë».

Ishte një burrë elegant, nuk kishte hije dyshimi. Nuk doja të dukesha si një vajzë e shkretë tekanjoze, kështu u përgjigja thjesht se mund të ecnim përpara. Në atë moment isha unë që përshpejtova hapin dhe e lashë atë pas meje.

«Ju e parë nga prapa jeni po aq e këndshme, e dini? Kush e di nga sa burra do e keni dëgjuar tashmë tjua thonë!».

Mu skuqën faqet, ndjeva një nxehtësi të pamundur të më shpërthente në veshë, u inatosa.

«Por si guxoni? Pa dëgjo këtë! Më patë vetëm pesë minuta më parë për herë të parë dhe tashmë e lejoni veten të shprehni konsideratat tuaja personale për personin tim. Kush jua dha gjithë këtë besim? Mos i lejoni kurrë më vetes liri të tilla, John Beal!». Isha e tërbuar si një dem përballë një çarçafi ngjyrë të kuqe gjak, por në zemrën time ndihesha edhe e kënaqur që isha vënë re për diçka fizike. Edhe pse nuk do tia kisha thënë kurrë, më pëlqente pafytyrësia e treguar nga ai burrë.

«Shumë mirë zonjushë, shikoj që e mbani mend mirë emrin tim të plotë! Mund të shkojmë tani?».

«Po, shkojmë. Është më mirë!».

I ftohti ishte me të vërtetë shpues jashtë terminalit. Për fat të mirë nuk kishte shumë lagështi në ajër, gjë që e bënte të durueshme temperaturën. Zgjata hapin për të ndjekur burrin dhe menjëherë rrëshqita. Nuk kisha këpucët e duhura dhe asfalti ishte i mbuluar me njolla nga copa të holla akulli.

«Ju lutem, ndaloni këtu!». John u kthye duke shfyrë, duke pyetur veten për arsyen e kërkesës sime, por menjëherë e kuptoi.

«Keni probleme me këpucët, apo jo? Para se të niseshit nuk u interesuat mbi kushtet meteorologjike? Të gjithë e dinin për stuhinë e dëborës në Portland. Në rregull, është e kotë të flasim për këtë tani. Keni këpucë më të rehatshme me vete?».

«Në valixhe, por do më duhej të nxirrja jashtë të gjitha rrobat këtu në mes të rrugës, do më duhej shumë kohë dhe nuk kam aspak dëshirë. Do përpiqem të kem kujdes», e sigurova.

«Përndryshe mund tju mbaj në krahë, nëse dëshironi. Si thoni Katherine?». Ishte i paturp, por edhe i sjellshëm. Sidoqoftë atë mbrëmje gjendja ime shpirtërore nuk më lejonte të shprehja asnjë ndjenjë mirësie.

«Ose mund të shkoni të merrni makinën tuaj ndërsa unë po ju pres këtu, me valixhen time. Si thoni zoti Beal?», replikova me të njëjtën paturpësi.

«Do të vij shpejt. Ndërkohë, kujdesuni të mos merrni të ftohtë, përndryshe pushimet tuaja në Wallowa do ti kaloni në shtrat me temperaturë». Eci drejt makinës së tij pa u kthyer, duke kaluar rreshtat e makinave dhe pick-up-et parkuar në sipërfaqen e madhe. Mendova se ndoshta nuk po bëja gjënë e duhur, kisha patur pak përvoja me meshkujt dhe të gjitha të përfunduara keq. Më kishin bërë të vuaj, asnjë nuk kishte arritur të më pranonte për atë që jam. E ndoqa John-in me shikim derisa nuk arrita më ta shihja dhe në atë moment fillova të frikësohem se nuk do ta shihja kurrë më. Ndoshta imazhi i John-it ishte vetëm një projeksion i jetës sime të kaluar, domethënë joreal. Kisha pranuar një pasazh nga një fantazmë? U drithërova nga ideja. Shikoja kudo njerëz rreth meje që hynin dhe dilnin nga Terminali ndërsa bisedonin dhe buzëqeshnin. Disa diskutonin me gjallëri midis tyre, por të paktën nuk ishin të vetmuar, të braktisur në veten e tyre, siç ndihesha unë. Mbylla xhaketën mirë dhe mbështolla rreth qafës një shall që kisha futur më parë në çantë. Nuk kisha qenë plotësisht e papërgatitur, mesa duket. Pastaj shkretëtira. Llampa e madhe që ndodhej pikërisht përpara meje reflektonte dritën e saj në dëborë, duke e bërë të shkëlqejë sikur të ishte pluhur diamanti. Mendova se sa shumë i pëlqeja kur isha e vogël gjërat që shkëlqenin, i thoja nënës sime se kur të rritesha do kisha dashur të kisha shumë stoli të çmuara. Sigurisht që do kesh shumë, më përgjigjej gjithmonë, ndërsa përkëdhelte flokët e mi të gjatë, të zinj.

Në fund të rrugës pashë dy fenerët e një makine që largoheshin gjithnjë e më shumë mes tyre, ndërsa automjeti afrohej. Ishte një pick-up dhe brenda ishte John që e ngiste. Nuk e imagjinon sa e kënaqur jam që po të shoh përsëri në këtë moment, mendova me vete, ndërsa John zbriste nga makina për të ngarkuar sipër valixhen time. Vetëm në atë moment vura re se kishte lënë atje me mua edhe të tijën, më parë nuk e kisha kuptuar, e zhytur siç isha në mendimet e mia. Ai më kishte besuar, më shumë sesa kisha bërë unë në lidhje me të. Do doja ti thoja faleminderit, por buzët e mia nuk arritën ti jepnin shtytje instinktit tim, duke mbetur të ngjitura midis tyre. Hipa në makinë ndërsa John po rregullonte bagazhet tona.

«A ju pëlqen temperatura e ajrit, Katherine?».

«Është mirë, e dua të ngrohtën, mos u shqetësoni», arrita të thoja, edhe një herë pa falënderuar. Përse e kisha kaq të vështirë ta bëja? Çfarë nuk funksiononte tek unë?

«Ky atëherë nuk është vendi i përshtatshëm për ju, nëse jo në kohë të caktuara të vitit», thërriti duke buzëqeshur, «këtu bën goxha ftohtë. Nisemi?». Dakordësova vetëm me një lëvizje të kokës.

«A ju pëlqen temperatura e ajrit, Katherine?».

«Është mirë, e dua të ngrohtën, mos u shqetësoni», arrita të thoja, edhe një herë pa falënderuar. Përse e kisha kaq të vështirë ta bëja? Çfarë nuk funksiononte tek unë?

«Ky atëherë nuk është vendi i përshtatshëm për ju, nëse jo në kohë të caktuara të vitit», thërriti duke buzëqeshur, «këtu bën goxha ftohtë. Nisemi?». Dakordësova vetëm me një lëvizje të kokës.

Vuri në lëvizje makinën dhe përparuam me ngadalë drejt daljes së aeroportit, pa folur. Edhe pse John ishte sjellë në atë mënyrë aq të sjellshme në lidhje me mua, më shikonte dhe buzëqeshte, unë nuk arrija akoma tia ktheja.

KAPITULLI 3

Notat e këngës Strangers in the night të Frank Sinatra-s zbusnin heshtjen e zbrazët të lënë nga zërat tanë. Në çdo kryqëzim me semfor të kuq, John më shikonte dhe çdo herë dukej sikur donte të më bënte pyetje. Unë kisha frikë se do më bëhej ajo që do kishte qenë pyetja më e vështirë për tu përgjigjur. Sjellja ime josociale dhe pak e respektueshme ndaj tij, që më kishte mbrojtur në një farë mënyre deri në atë moment, nuk zgjati shumë.

«Çfarë ju solli këtu Katherine?», pyeti ndërsa ia hidhte shikimin rrugës. Meqenëse nuk kisha pse të këmbeja shikimin e tij me timin dhe meqënëse pyetja nuk ishte aq kompromentuese, mendova se mund të jepja edhe një përgjigje të paqartë dhe ai nuk do ti jepte shumë rëndësi. Gabohesha.

«Doja të ndryshoja ajrin, të bëja një udhëtim nga këto anë të pavizituara kurrë në jetën time. Më kanë folur shumë mirë miqtë e mi në New York».

«Nuk besoj të jetë vetëm kjo, nëse më lejoni», u përgjigj. Nuk e kisha bindur aspak, ishte më se e dukshme. Në fund të fundit kurrë nuk kisha treguar se kisha cilësi të lindura aktoreje dhe gënjeshtra nuk ka qenë kurrë me të vërtetë pika ime e fortë. Megjithatë, si gjithmonë, nuk isha e gatshme të hiqja dorë duke pasur parasysh kokëfortësinë time, ndoshta veçoria ime e vërtetë dhe unike.

«Po ju çfarë dini? Një grua nuk mund të vendosë në një moment të mbyllë shtëpinë dhe të bëjë një udhëtim të bukur? Mendoni se më njihni aq mirë? Nuk dini asgjë për mua, në fund të fundit, apo jo Beal?».

«Unë them thjesht që nuk është vetëm kjo. Ju nuk jeni një grua e qetë në këtë moment, tregoni frikë ndaj diçkaje, jepni idenë e të ndodhurit këtu në kërkim të diçkaje që keni frikë mos nuk e gjeni ose, përkundrazi, të mbeteni e tronditur në rast se do gjeni atë që kërkoni. Një grua që ikën nga ose drejt diçkaje. Pikërisht kjo, ju dukeni një grua që po ikën nga diçka me këmbët zdrënkthi. Sidoqoftë, ju kërkoj falje, këto nuk janë punët e mia dhe për këtë keni të gjitha arsyet e botës, më falni».

Ramë në heshtje, një memecëri e sikletshme. Më bezdiste që John kishte gjithë atë respekt për mua, për mendimet e mia dhe për privatësinë time. Mendova se të përpiqesha ta njihja pak ndoshta nuk do të më shkaktonte probleme. Ndoshta do mund ta falënderoja në fund të udhëtimit tonë.

«Dhe ju pse jeni këtu John? Jetoni në Portland?». Menjëherë mendova se, me sjelljen time, ai mund të prekej nga pyetja ime. Pse vallë ai mund të bëj pyetje dhe unë jo? «Sigurisht, jeni i lirë të mos përgjigjeni nëse nuk e mendoni të përshtatshme». John më pa dhe duke bërë një buzëqeshje goditi në shenjë.

«Pse vallë duhet të sillem si ju Katherine?». Shpërtheu në të qeshura ndërsa më shikonte të përkulja kokën për tu mbrojtur nga shikimi i tij. U solla si një fëmijë që sapo e kishin qortuar.

«Në Portland jeton ende nëna ime. U zhvendosëm këtu pak pas vdekjes së babait tim, më parë jetonim në Joseph, pikërisht atje ku ju jeni drejtuar, në Wallowa. E njoh mirë zonën, për këtë arsye pak më parë po ju paralajmëroja për kushtet e vështira atmosferike».

«Dhe përveç zisë për vdekjen e babait tuaj, përse vallë keni vendosur të zhvendoseni në Portland?».

«Të them të drejtën nuk bëhej fjalë për një transferim, po më tepër një kthim. Nëna ime ka lindur dhe jetuar në periferi të qytetit. Duke mos pasur më asnjë lidhje me Wallowan, vendosi të kthehet këtu. Unë e pasova, edhe pse kisha atëherë një punë të mirë në Joseph. I lashë të gjitha, përgatita çantat dhe erdha të qëndroja këtu me të. Tani, mbi shtatëdhjetë vjeç, ka nevojë për mua më shumë se kurrë. Ajo është ende një grua e pavarur pavarësisht nga mosha e saj, por siç mund ta imagjinoni, po fillon të ketë vështirësi serioze në aspekte të ndryshme të jetës së përditshme. Ndonjëherë ka momente të errëta në mendjen e saj, gjatë të cilave nuk kujton as emrin e saj ose fytyrën time. Për fat të mirë janë ende momente të rralla dhe të shkurtra, por që e detyrojnë të mbetet e mbyllur në shtëpi. Ajo ka qenë gjithmonë një grua shumë dinamike dhe ky kufizim është për të si një dënim me burg. Ka një kujdestare që kujdeset për të».

«Ishit në aeroport John. Nga po vinit?», pyeta ndoshta duke guxuar shumë.

«Unë isha me ju në avion, Katherine, po vij edhe unë nga New York-u. Shkova në qytet për të marrë pjesë në një konventë, unë isha folësi».

«Nuk ju vura re John».

«Të them të drejtën nuk mund të më vërenit, e zhytur siç ishit në mendimet tuaja. Gjatë fluturimit pastaj, menjëherë pas ngritjes, ju zuri gjumi. Ndërsa unë ju vura re menjëherë. Ju jeni një grua që nuk mund të mos viheni re, duhet ta dini këtë». John fliste me sinqeritet dhe pa pengesa, me buzëqeshjen e tij vazhdimisht të shtypur në fytyrë dhe një elegancë që rrallë kisha parë më parë tek një burrë. E pashë atë dhe ndoshta u skuqa pak. Po, kam qenë gjithmonë një grua e bukur. Im atë e mbështeste këtë mendim që kur isha fëmijë, ndërsa nëna ime ishte e shqetësuar më shumë për aspekte të tjera të jetës sime, që e bënin ta vinte argumentin bukuri në plan të dytë. Shumë herë e kam dëgjuar të thënë prej meshkujve, deri në pikën ku arrita të bindem. Por isha, shumë më tepër, në trupin tim të mëparshëm. Isha një grua elegante, me një bukuri të rafinuar, pothuajse të rrallë. Por këtë unë nuk mund tia thosha John-it. Të paktën ende jo.

«Ju falënderoj John», tunda kokën me ndrojtje.

«Edhe shkëmbi shkulet kur tregon se ka një zemër! Është e vërtetë atëherë!», tha me ton të sigurt.

«Çfarë doni të thoni me këto fjalë?»

«Ju sapo më falënderuat, Katherine. Nuk e vutë re? Apo ndoshta gabohem?», tha, duke më shkelur syrin në shenjë bashkëfajësie. Unë buzëqesha dhe pohova vetëm me një shenjë të kokës, çdo fjalë tjetër do të kishte qenë plotësisht e tepërt dhe jashtë vendi në atë moment.

«Më duhet tju kërkoj falje, John. Më falni për sjelljen time të ashpër ndaj jush. Ju jeni kaq i sjellshëm me mua dhe unë jua ktheva vetëm duke ju trajtuar mjaft keq. Kam qenë pak e sjellshme».

«Do ti pranoja justifikimet tuaja, por vetëm me një kusht! Duhet të më jepni kënaqësinë të ha mëngjes me ju nesër në mëngjes, si thoni?». Nuk dija si të përgjigjesha, isha në siklet. Pastaj më erdhi në mendje se mëngjesin e ardhshëm do të duhej të merrja autobusin për në Wallowa.

«Do ta pranoja me kënaqësi John, por nesër në mëngjes duhet të kthehem në aeroport shumë herët për të marrë autobusin për në Wallowa. Ndryshe nuk do arrija në kohë», u përgjigja.

Назад Дальше