Një Flluskë Jashtë Kohe - Andrea Calo' 4 стр.


«Do ta pranoja me kënaqësi John, por nesër në mëngjes duhet të kthehem në aeroport shumë herët për të marrë autobusin për në Wallowa. Ndryshe nuk do arrija në kohë», u përgjigja.

«Nuk keni nevojë Katherine. Do tju çoj unë në Wallowa nëse do doni të më nderoni me shoqërinë tuaj të këndshme».

«Jo John, ju kam shqetësuar shumë tashmë. Nuk do guxoja kurrë tju bëja të humbisnit kohë të çmuar për të më shoqëruar deri atje, është shumë larg».

«Një gjë që nuk arrita në kohë tjua thoja në historinë time është se unë ende punoj në Wallowa».

«Çfarë thoni? Jeni larguar përsëri nga Portland, kështu?», pyeta, e befasuar.

«Po. Këtu nuk ndihesha në shtëpi. Nëse nuk do të kishte qenë për nënën time, nuk do të isha kthyer asnjëherë», u përgjigj, «Nuk gjeta asnjë punë që të më kënaqte si ajo që kisha në Joseph. Më pas fola me nënën time dhe i komunikova se do të kthehesha në Wallowa. Do të shkoja ta takoja shpesh. Mund ta bëja sepse në ato vite kurrë nuk kishte treguar shenja vithisjeje, mund të rrija i qetë. Pas një hezitimi të parë fillestar, pranoi zgjedhjen time dhe më la të shkoj. U ktheva në Wallowa, në Joseph. Fatmirësisht, nuk kishin gjetur një zëvendësues në postin tim të punës dhe unë u rifuta në organikë. Jetoj në një shtëpi jo shumë larg punës sime, nuk mund të isha më mirë se kaq».

«Jeni i martuar? Keni fëmijë?»

«Jam i divorcuar dhe nuk kam fëmijë». Po më hapej plotësisht, çdo pyetje e imja gjente menjëherë një përgjigje. Mund ti kisha kërkuar çdo gjë dhe ai do të më ishte përgjigjur pa probleme. Unë nuk do ta kisha bërë kurrë. Si mund të jesh kaq transparent ndaj një plotësisht të huaji? Ai dhe unë ishim dy njerëz shumë të ndryshëm në shikim të parë.

«Më falni John, nuk do doja tju kujtoja me pyetjet e mia mendime apo ndjenja për ju të dhimbshme»

«Absolutisht jo Katherine. Gruaja ime dhe unë jemi ende në raporte të mira. Ishte shuar ajo dashuri që na kishte bashkuar më parë, kjo është e gjitha. Nuk vazhdohet në një marrëdhënie nëse nuk ka dashuri, apo jo?». E drejtë, mendova. Shumë e drejtë. Përvojat e mia të kaluara në këtë drejtim nuk mund të konfirmojnë veçse atë që ai tha. Nuk isha lënë kurrë nga një burrë, kisha qenë gjithmonë unë që kisha bërë hapin e parë. Nuk e njihja gjendjen shpirtërore në të cilën ndodhesh kur është tjetri që të thotë se morri fund, atë ndjenjë refuzimi të justifikuar me arsyet më të ndryshme. Ndonjëherë justifikohemi duke marrë me zgjedhje të gjithë fajin për vendimin e marrë, të vetëdijshëm për faktin se nuk bëhet fjalë për të vërtetën e pastër, por për një mënyrë për të mbyllur çështjen shpejt dhe pa pasoja. Po përpiqesha ta imagjinoja, por arrija vetëm ta asimiloja me atë të një vdekjeje të papritur, duhej të ishte një dhimbje e madhe ajo që ndjek fjalën lamtumirë shprehur nga një person që me të vërtetë e do. Bëra të kuptonte se isha dakord me të dhe nuk vazhdova më në këtë temë, nuk kisha asnjë të drejtë ose asnjë nevojë ta bëja.

«Keni gjetur gjithçka të pandryshuar kur u kthyet në Wallowa apo ka patur ndryshime gjatë mungesës suaj?»

«Gjeta gjithçka ashtu siç e kisha lënë. Nuk kam munguar për shumë kohë sidoqoftë, vetëm disa muaj. Por mua më dukej sikur kishte kaluar një përjetësi».

«Vërtet pak kohë atëherë. Për këtë arsye keni gjetur edhe punën tuaj të vjetër».

«Ose ndoshta edhe sepse jam shumë i mirë dhe nuk kanë arritur kurrë të gjejnë një person tjetër që të ishte në lartësinë time?», u shpreh kryelartë.

«Ju jeni me të vërtetë shumë modest John», u përgjigja duke i buzëqeshur me kënaqësi për herë të parë.

«Modestia është një virtyt i imi, ashtu si eleganca juaj Katherine». E shikoja ndërsa më fiksonte me shikim. Drita e shenjës me neon të hotelit ku më kishte sjellë ndriçonte një anë të fytyrës së tij, ndërsa tjetra mbetej plotësisht në hije, në errësirë.

«Në çorë do hamë mëngjes nesër John?», pyeta duke iu përgjigjur vështrimit të tij intensiv, ndërsa sytë e tij fiksonin të mitë.

«Ju bëhet mirë për në orën tetë? Do të vij unë këtu tek ju. Kujdes, vishni rroba të rënda dhe shumë të ngrohta. Do të bëjë ftohtë në Wallowa nesër, do e shohësh. Natyrisht ndjesa jote pranohet, Katherine», përfundoi.

Ia ktheva me një buzëqeshje dhe me përkulje të lehtë dhe komplekse të kokës. Ai morri valixhen time nga bagazhi dhe e çoi deri në banakun e Recepsionit të hotelit, në fund të hollit në të djathtë. Njihte edhe nëpunësin, një djalë mjaft i fortë me emrin Fred.

«Fred, kjo është zonja Katherine. Kam rezervuar dhomën e saj në emrin tim, kontrollo listën. Do të merrem unë me çdo gjë nesër në mëngjes, kur të vij për ta marrë. Ki kujdes, dëshiroj për të një trajtim me respekt, është një mikja ime e dashur!». Pastaj u kthye përsëri nga unë për të vazhduar bisedën, «Verifikova disponueshmërinë e dhomës ndërsa po shkoja të merrja makinën në aeroport. Këtu do të jeni mirë Katherine. E njoh këtë djalë dhe të jesh e sigurt se nëse ndonjë gjë shkon keq, ai do ketë të bëjë me mua në mëngjes. Them mirë Fred?»

«Nuk keni pse shqetësoheni zoti Beal. Zonjë, ja çelësi i dhomës suaj. Po ju thërras një portier që tju çojë valixhen në dhomë pas disa minutash, lëreni këtu tek unë». Falënderova Fredin. Nuk mu desh as të bëja check-in-in, dhoma ishte regjistruar në emrin e John-it.

«Faleminderit përsëri John për të gjithë ndihmën tuaj dhe disponueshmërinë tuaj bujare, ju jeni me të vërtetë një person i mirë, shumë më tepër se çisha unë. Dhe më falni përsëri për paturpësinë time, në aeroport si dhe në makinë, pak më parë».

«Jua përsëris Katherine, ndjesa jote është pranuar tashmë. Të mos flasim më për atë, nuk është e rëndësishme. Për më tepër përpiquni të kaloni një natë të mirë, shihemi këtu në holl nesër në mëngjes në orën tetë. Do hamë mëngjes këtu në restorantin e hotelit, është i shkëlqyer. Pastaj do të nisemi për në Wallowa». Bëri një pushim, pastaj rifilloi. «Meqë ra fjala, harrova që ju nuk keni ngrënë darkë akoma!». Mohova me një lëvizje të kokës, por e sigurova se do të merrja një kafe në dhomë, zakonisht nuk haja shumë në mbrëmje, sidomos para se të shkoja në shtrat. Dhe isha shumë e lodhur, nuk do vononte të më zinte gjumi. Ma morri dorën dhe e puthi. Kontakti i lëkurës së dorës sime me buzët e tij të buta dhe të ngrohta më bëri të dridhesha. Mezi arrita të mbaj brenda vetes emocionin tim dhe e përshëndeta.

«Shihemi nesër Katherine».

«Shihemi nesër John». Më ndoqi me shikim, duke mbetur i palëvizshëm gjatë gjithë kohës, derisa u hap dera e ashensorit. I mbante duart në xhepat e palltos, sikur të ishte duke fshehur diçka brenda tyre. Hyra në ashensor dhe shtypa tastin për të shkuar në katin e tretë. Kisha pak kohë për ti bërë një shenjë të fundit përshëndetjeje John-it, që ma ktheu, pastaj ngela e palëvizur të vështroja imazhin e tij që zhdukej pas dyerve të ftohta prej çeliku të kabinës së ashensorit. Një korridor i gjatë, i ngushtë dhe i errët, më çoi në dhomën 315. Ndërsa kaloja përpara dyerve të dhomave të tjera, dëgjoja zhurmat e televizorëve të ndezur, të ujit të dusheve dhe zërat e njerëzve që vinin nga brenda. Hoteli ishte pothuajse plot. Hyra në dhomën time, ishte shumë e vogël, me një banjo të ngushtë dhe pak të trajtuar. Pashë jashtë nga dritarja. Shpalosej një panoramë e bukur nga pas qytetit dhe në largësi shikoja dritat e ndezura dhe të forta që ndriçonin pistat e aeroportit. Shkëlqimi i reflektimeve të dritës mbi pllakat e akullta dhe grumbujt e dëborës, i jepte peizazhit një pamje përrallore. Morra zjerësin dhe ngroha ujin për të përgatitur një kafe të mirë amerikane. Kisha nevojë për diçka të ngrohtë për të luftuar acarin që më kishte përshkuar edhe kockat në atë mbrëmje të ftohtë. Por, në të njëjtën mbrëmje, kisha takuar një burrë që kishte arritur të më ngrohte zemrën. Një talk- show transmetuar në televizion mbushte dhomën me fjalë, e pashë me pak interes ndërsa pija filxhanin tim të kafesë. Mendja ime bridhte në atë që do kisha parë dhe jetuar në Wallowa, pyesja veten për ekzistencën e vërtetë të shtëpisë që po kërkoja. Natyrisht, po të mos e kisha gjetur, do të kisha mbetur shumë e zhgënjyer nga vetja ime dhe do të kthehesha në shtëpi me duar bosh, duke u detyruar të fshija përgjithmonë ato imazhe që gjithmonë kishin populluar mendjen time dhe mendimet e mia. Kërkova në kujtesën time vizuale për copëza për të rindërtuar imazhin e John-it dhe vlerësova të gjitha ato që ai kishte bërë për mua. Vetëm tani që ai kishte ikur, duke më lënë vetëm në atë dhomë, mund të arrija të shprehja mirënjohjen time. Kishte marrë komplet një të huaj në aeroport dhe i kishte ofruar ndihmën e tij, shërbimet e tij, pa kërkuar asgjë në këmbim. Të paktën deri në atë moment. Pyesja ende veten nëse ai njeri ishte real apo një fryt i imagjinatës sime. Megjithatë, emocioni që kisha ndjerë ndërsa më puthte dorën ishte i vërtetë, fizik. Vendosa të mos mendoja më për këtë. Nëse kisha ardhur në dhomën e atij hoteli në Portland, dikush ose diçka duhej të më kishte sjellë. E çmendur, po, mund edhe të pranoja se jam, por nuk mund të pezmatoja fantazitë e mia deri sa të gjeneronin hipoteza dhe mendime absurde. U zhvesha dhe hyra në banjo, duke u futur poshtë dushit që derdhte ujë shumë të nxehtë, pothuajse tymues. Ndesha në imazhin tim të reflektuar në pasqyrën përballë meje, gjerësisht të turbullt anash nga avulli i nxehtë i prodhuar nga uji i dushit. Ishte krijuar një kornizë rreth trupit tim dhe mund të admiroja tiparet e mia dhe gjinjtë e mi të plotë sikur të isha duke admiruar një pikturë. Pashë se isha objektivisht një grua e bukur. Po, je një grua e bukur Kate, më sugjeroi krenaria ime prej gruaje, duke bërë që të nxjerr një buzëqeshje të bukur krenare në buzët e mia të mbyllura. Dushi më largoi lodhjen e ditës nga trupi im, duke i qetësuar muskujt e mi ndërsa uji i nxehtë rridhte përgjatë ijeve të mia dhe më përshkonte kurrizin. U preka me dorë ndërsa mendja shkonte tek John, njeriu i asaj mbrëmjeje, dhe menjëherë u pushtova nga një dridhje e nxehtë që më bëri të drithërohesha nga kënaqësia. Trupi im reagonte mirë ndaj stimujve të seksit, edhe pse ende nuk kisha mundur të përjetoja kënaqësinë e vërtetë me një burrë. Unë vetë e njihja mirë veten aq sa të kujdesesha për trupin tim ashtu siç e meritonte. Menjëherë më pas u ndjeva e qetë dhe e relaksuar, e kënaqur në trup dhe në mendje për atë që sapo kisha bërë. Vesha pizhamat e mia dhe u futa poshtë shtresave. Në televizion talk-show vazhdonte me diagolët e tij, midis grindjeve të forta të pjesëmarrësve grindavecë dhe të qeshurave të publikut, ndërsa prezantuesi përpiqej më kot të merrte kontrollin e një situate që dukej tashmë se i kishte ikur plotësisht nga duart. Pa e kuptuar, në shumë pak kohë rashë në një gjumë të thellë.

KAPITULLI 4

Bastard! Je një bastard i ndyrë, po! Unë të dhurova dashurinë time dhe ti e morre bashkë me trupin tim. Ti ke marrë gjithçka nga unë, edhe shpirtin tim. Dhe tani nuk gjen forcën të më pranosh për atë që jam dhe atë që të kam dhënë, fshihesh pas justifikimeve më të poshtra dhe e quan fryt i mëkatit! Të kam thënë të zgjedhësh, por duhet ta bësh tani, nuk jam më e gatshme të pranoj më asgjë dhe asnjë! Duhet të zgjedhësh midis ne të dyjave, dhe duhet të jetë zgjedhja jote përgjithmonë. Po më detyron të të urrej, je një i poshtër. Nuk e meriton dashurinë time dhe nëse nuk merr një vendim, nuk do ta kesh më! Ik larg, ik! Liro sytë e mi dhe jetën time nga prania jote e parehatshme, ik tutje përgjithmonë. Nuk dua të të shikoj më, kurrë më! Kam besuar tek ty dhe ti më asgjësove, u poshtërova përpara familjes sime, njerëzve të mi, për ty. Dhe ti në këmbim ke shkelmosur atë pak nder që akoma më kishte mbetur dhe ke larguar thërrimet e krenarisë së një gruaje që akoma mbroja me dhëmbët shtrënguar, pasi kisha vendosur të rrija me ty. Shko tek ajo atëherë! Shko Ik menjëherë! Je i vdekur për mua, tani dhe përgjithmonë! Bastard i ndyrë!

Natën hapa sytë, isha e lagur nga djersët. Ndieja nxehtësinë të më mbështillte plotësisht, në të gjithë trupin. Pashë orën me zile, kishte kaluar tre i natës vetëm prej disa minutash. Televizori kishte mbetur i ndezur, po transmetonte një koncert rrok të viteve tetëdhjetë. Në dhomë mbizotëronin shkëlqimet me dritë të përhershme të llampave psikodelike, të përshtatura nga kamerat dhe të kthyera nga skena në të cilën ata këngëtarë të çmendur ishin duke performuar. Muzika ishte ndërprerë herë pas here nga ndonjë bori e shurdhër e makinave që ende kalonin në rrugë, poshtë hotelit. U ngrita dhe dola në dritare të shikoja jashtë, përtej perdeve. Nuk e prisja një kaos të tillë në atë orë të natës, mu duk shumë i çuditshëm, atipik për një ditë në mesjavë në një rrugë mjaft periferike në krahasim me qendrën e qytetit.

«Çfarë furie absurde!», i pëshpërita vetes ndërsa po i mbyllja me vështirësi perdet errësuese të dritares, që po i bënin një farë rezistence rrëshqitjes së grepave në shinë. U ktheva në shtratin tim për të provuar të përpiqesha të rikuperoja gjumin e ndërprerë. Rrotullohesha vazhdimisht në krevat, siç kthehet salsiçia e një hotdogu në pllakën e nxehtë për të evituar që të digjet, nga njëra anë në tjetrën, por thjesht nuk mund të më zinte gjumi. Isha e shqetësuar, por çfarë ishte ajo që më mbante në atë gjendje thjesht nuk mund ta kuptoja.

«Përpiqu të flesh Kate, dreqin! Nesër do të jetë një ditë e gjatë dhe e vështirë!», qortoja veten me zë të lartë, e bindur se fjalët kishin më shumë forcë sesa mendimet. Sa më shumë e bëja, aq më shumë ndjeja eksitimin për diçka të pakapshme që rritej dhe hapte me forcë vend në trupin dhe në mendjen time, duke u tallur me mua. Çfarë po bënte John në atë moment? Gjumë do të kishte qenë përgjigjja më e qartë, por edhe më pak interesante. Ndoshta po mendonte për mua? Apo ndoshta kishte një grua me të në shtratin e tij në atë moment? Nuk më kishte folur për familjen e tij, dija vetëm që ishte ndarë. Ose ishte një qejfli grash, një burrë në kërkim të një gruaje të re për çdo natë. Unë ndoshta dukesha si një pre e mundshme për atë mbrëmje, por i kishte shkuar keq! Bëra një buzëqeshje të ndrojtur të kënaqur, por menjëherë e kuptova se e kisha gabim.

«Nesër do të shohim se si do të shkojnë gjërat, tani fli», u sigurova duke u vetëftuar për tu shplodhur. Dalngadalë kllapa e nxehtësisë mbytëse e kishte çliruar trupin tim, duke i lejuar lëkurës sime të rifreskohej dhe djersës të thahej, derisa u zhduk plotësisht. Ndihesha më e qetë, më e relaksuar. Të mendoja për atë njeri, për më mirë ose për keq, më sillte qetësi. Dhe me këtë mendim ankoruar në mendjen time dhe imazhin e tij gjallërisht të ndezur para syve të mi, trupi im i lejoi gjumit të vinte dhe të më zinte, për të më dalë pastaj kur drita e natyrshme e ditës filloi të filtrohej përmes perdeve, të mbetura vetëm gjysmë-mbyllur gjatë natës. Një rreze dielli, e ngjashme me një shpatë e bërë vetëm nga drita, mbulonte dyshemenë e dhomës, duke e përshkuar plotësisht nga njëra anë në tjetrën. Kishte kaluar ora shtatë e mëngjesit prej një kohe të gjatë dhe ende duhej të përgatitesha para se të zbrisja në holl për mëngjes, ku do të shihja sërish John-in. Hyra në banjo dhe u pashë në pasqyrë, tani e lirë nga gjurmët e avullit të formuara natën e kaluar. Sytë e mi ishin të fryrë, nuk do të kisha ofruar një pamje të mirë të personit tim në ato kushte, e kuptova menjëherë. U përpoqa të mbuloja atë deformim me tualet, por rezultati në fund ishte vetëm i pjesshëm, vërtetë i varfër. Nuk mund të bëja asgjë, siç më kishte ndodhur herë të tjera, ënjtja do të kishte ikur vetë gjatë ditës. Kisha njëfarë përvoje të tillë. Por pse pikërisht atë ditë, dreqin? John do të kishte qeshur me mua, do të ishte çuditur me mrekullitë që dritëhijet e mbrëmjes mund të bëjnë në imazhin e një gruaje të papërsosur. Megjithatë, një natë më parë sytë e mi më shihnin kaq të bukur! E gjeta zgjidhjen, do të kisha shfaqur një dekolte të madhe. Do të kisha përdorur armët e mia më të mira për të devijuar shikimin e tij nga sytë e mi, për ti dhënë vlerë diçkaje që ishte më tërheqëse dhe e menjëhershme për të! Në fund të fundit ishte një burrë, duhej të vlerësonte tiparet e një gruaje. Shtrëngova pra gjinjtë në duart e mia për ti bashkuar. Vërtet aspak keq Kate! Vesha një këmishë pambuku elastin, pa reçipeta, shumë të ngushtë dhe me një dekolte me të vërtetë bujare. Ishte e vetmja që kisha, ishte ngjyrë rozë. Nxitova për në banjë për tu parë dhe për të bërë ndonjë rregullim të përshtatshëm. Je perfekte Kate, je vërtet një bombë! mendova, krenare për veten dhe që zotëroja një trup të tillë. Unë vetë nuk i pashë më sytë e mi, tani të kaluar në plan të dytë. Përfundova së veshuri me nxitim dhe pas një ekzaminimi të fundit para pasqyrës, ndihesha gati. Sapo morra çelësin e dhomës, u katapultova në korridor, drejtur tek ashensorët. Brava e sigurisë në derën e dhomës u fut menjëherë automatikisht pas mbylljes së derës pas kurrizit tim. Ashensorit iu deshën disa sekonda përpara se të arrinte në katin tim dhe kur u hapën dyert, brenda ishte një burrë mjaft i shëmtuar, që vinte erë të keqe dhe shumë i shëndoshë, pothuajse obez. Kishte një model qesharak të flokëve në kokën e tij pothuajse tullace që, me sa duket, donte ta mbulonte me çdo kusht. Po të kisha qenë në vendin e tij, do të kisha menduar për një paruke. E kishte mbajtur shikimin e tij manjak të fiksuar në gjoksin tim për gjithë kohën që mu desh të arrija në holl. Funksionon, mendova dhe menjëherë harrova ndjenjën e bezdisë që ai vështrim këmbëngulës do të më kishte shkaktuar në një situatë tjetër. Përkundrazi, i isha pothuajse mirënjohës që më siguroi provën që kërkoja për efektivitetin e asaj përshtatjeje të vogël që kisha planifikuar për tu shfaqur tërheqëse në sytë e John-it.John ishte ulur në holl, më priste ndërsa shfletonte një nga revistat e vëna në dispozicion të klientëve dhe vizitorëve. Ishte elegant, si një ditë më parë. Kishte veshur një këmishë të kaltër me një kravatë të hollë, me vija ngjyrë ari dhe të zeza. Mbi këmishë kishte xhaketën e ditës së mëparshme. Pantallonat formonin një kostum me xhaketën, tregonin një suvatim të lehtë që nuk e kisha vënë re mbrëmjen e mëparshme. U afrova me hap të shpejtë, ndërsa ai më vuri re, duke ndjekur me shikim ecjen time.

Назад Дальше