Forcat E Kundërta - Cane Gentian 2 стр.


—Unë jam roja e malit. Unë jam shpirti i Tokës që lëviz aty këtu. Kam ardhur këtu sepse ti e fitove sfidën. A dëshiron që t’i bësh ëndrrat e tua realitet? Do të të ndihmoj ta arrish këtë, biri i Zotit! Ke akoma shumë sfida për të përballuar. Unë do të të stërvis. Mos ki frikë. Zoti yt është me ty. Pusho pak. Do të vij prapë me ushqime dhe ujë për të plotësuar nevojat që ke. Ndërkohë, çlodhu dhe medito siç bën gjithmonë.

Dhe duke thënë kështu, gruaja m’u zhduk nga sytë. Ky imazh ngacmues më la më të stresuar dhe plot me dyshime. Çfarë sfidash më duhet të kaloj? Çfarë përmbajnë këto sfida? Maja e malit ishte vërtet një vend i qetë dhe shumë i shndritshëm. Nga kaq lart, mund të shihet grumbulli i vogël i shtëpive në Mimoso. Është një pllajë e mbushur me rrugë të rrëpirta plot me bimësi në të gjitha anët. A do t’i realizojë planet e mia ky vend i shenjtë, i paprekur nga natyra? A do më bënte vallë një shkrimtar me të nisur udhëtimin? Vetëm koha mund t’i jepte përgjigje këtyre pyetjeve. Meqë gruaja po vonohej pak, fillova të meditoja në majën e malit. Përdora këtë teknikë: së pari, çlirova mendjen (duke mos pasur asnjë mendim). Nisa të jem në harmoni me natyrën përreth meje, duke soditur me mendje të gjithë vendin. Nga këtu, nis të kuptoj se jam pjesë e natyrës dhe se ne jemi të bashkëngjitur në një ritual të madh lidhjeje shpirtërore. Heshtja ime është heshtja e Mëmës Natyrë; e qara ime është gjithashtu e qara e saj; Dalngadalë, nis të kuptoj dëshirat dhe aspiratat e saj, dhe anasjelltas. E ndjej tek kërkon ndihmë e stresuar, tek përgjërohet që t’i shpëtohet jeta nga shkatërrimi që po i bëjnë njerëzit: Shpyllëzimi, aktiviteti i nxjerrjes minerare, gjuetisë dhe peshkimit pa kriter, emetimi i gazeve ndotëse në atmosferë dhe mizoritë e tjera që bëjnë njerëzit. Po kështu, ajo më dëgjon dhe më mbështet në të gjitha planet që kam. Ne jemi krejt të kyçur gjatë meditimit. E gjithë harmonia dhe bashkëpunimi më ka lënë totalisht në heshtje dhe të përqendruar në dëshirat e mia. Derisa diçka ndryshoi: Ndjeva të njëjtën prekje që më zgjoi njëherë më parë. Hapa sytë, ngadalë, dhe pashë se gjendesha ballë për ballë me po atë grua që e quante veten roja e malit të shenjtë.

—E shoh se po e kuptoni sekretin e meditimit. Mali ju ka ndihmuar të zbuloni pakëz prej aftësive që keni. Ju do të rriteni në shumë mënyra. Do të të ndihmoj gjatë këtij proçesi. Së pari, të kërkoj që të kthehesh tek natyra dhe të gjesh trungje, listela, mbështetëse dhe litarë për të ngritur një kasolle, dhe pastaj dru zjarri për të bërë një zjarr të madh. Tashmë nata po afrohet dhe ti ke nevojë të mbrohesh nga bishat e egra. Duke filluar që nesër, do të të mësoj mençurinë e pyllit në mënyrë që të mund të kapërcesh sfidën e vërtetë: Shpellën e dëshpërimit. Vetëm pastërtia e zemrës i mbijeton zjarrit të saj. A dëshiron që ëndrrat e tua të bëhen realitet? Atëherë paguaj për çmimin që kanë ato. Universi nuk jep ndonjë gjë falas për askënd. Jemi ne që duhet të jemi të denjë në mënyrë që të arrijmë suksesin. Ky është një mësim që duhet ta mësosh, biri im.

—Të kuptoj. Shpresoj se do mësoj gjithçka që më duhet për të kapërcyer sfidat e shpellës. Nuk e kam fare idenë se çfarë sfidash janë por kam besim në vete. Nëse arrita të hip në majë të malit, do t’ia dal mbanë edhe te shpella. Kur të largohem, mendoj se do jem i përgatitur për të fituar dhe për të patur sukses.

—Prit, mos ki kaq shumë besim në vete. Ti nuk e njeh shpellën që po të tregoj. Dije se shumë luftëtarë janë përpjekur më parë të luftojnë me zjarrin e saj por janë asgjësuar. Shpella nuk ka mëshirë për asnjë njeri, as edhe për ëndërrimtarët. Ki durim dhe mëso gjithçka që do të të tregoj unë. Kështu që do të bëhesh një fitimtar i vërtetë. Mbaj mend: Besimi në vete të ndihmon, por vetëm në masën e duhur.

—Të kuptoj. Të faleminderit për të gjitha këshillat që më dhe. Të premtoj se do t’i zbatoj deri në fund. Kur të më kapë frika e dyshimit, do të sjell në mend fjalët e tua, gjithashtu edhe Zotin tim që më ruan gjithmonë. Edhe kur nuk ka shpëtim në natën e errët të shpirtit, unë frikë nuk do të kem. Do ta mund shpellën e dëshpërimit, shpellën nga e cila nuk ka shpëtuar askush!

Gruaja tha mirupafshim me përzemërsi duke premtuar se do kthehej ditën tjetër.

Kasollja

Një ditë e re erdhi. Zogjtë fërshëllenin dhe këndonin këngën e tyre, era frynte nga verilindja dhe flladi i saj freskonte diellin që rrihte shumë nxehtë në këtë periudhë të vitit. Tani është Dhjetor dhe për mua ky muaj përbën një nga muajt më të bukur të vitit pasi është fillimi i pushimeve të shkollës. Është një pushim i merituar pas një viti të gjatë kushtuar studimeve universitare në degën e Matematikës; Momenti kur mund të harrosh të gjitha integralet, derivatet dhe kordinatat polare. Tani më duhet të merakosem për të gjitha sfidat me të cilat do më përplasë jeta. Ëndrrat e mia varen nga kjo. Shpina më dhemb si rezultat i një nate me gjumë të keq, i shtrirë në tokën e shkelur që e përgatita si shtratin tim. Kasollja që ngrita me shumë përpjekje dhe zjarri që ndeza më dhanë njëfarë sigurie për natën. Gjithsesi, dëgjova britma dhe zhurmë hapash aty jashtë. Po ku më kanë çuar ëndrrat e mia? Përgjigja është: në fund të botës aty ku qytetërimi ende nuk ka mbërritur. Po ti lexues, çfarë do bëje? A do ta rrezikoje veten në një udhëtim për t’i bërë realitet ëndrrat e tua më të mëdha? Le të vazhdojmë me rrëfimin.

I zhytur në pyetjet dhe mendimet e mia, gati nuk e kuptova se, pranë meje, ishte ajo gruaja e çuditshme që më premtoi të më ndihmonte në rrugëtimin tim.

—A fjete mirë?

—Nëse mirë do të thotë se jam prapë i tëri, atëherë them se po.

—Pikësëpari, më duhet të të them se toka ku po shkel është e shenjtë. Kështu që, mos u gënje nga pamja e jashtme ose nga tërheqja momentale. Sot është sfida jote e parë. Nuk do të të sjell më ushqim apo ujë. Do t’i gjesh vetë për llogarinë tënde. Ndiq zemrën në të gjitha situatat. Duhet ta dëshmosh se je i denjë.

—Ka pak ujë dhe ushqim në këtë gëmushë dhe a duhet ta marr? Shiko, Zonjë, unë jam mësuar të bëj pazar në supermarket. E shikon këtë kasolle? Më ka kushtuar djersë dhe lot dhe prapë nuk ma ha mendja se është e sigurtë. Pse nuk ma dhuron atë që më nevojitet? Mendoj se e kam treguar me prova se jam i denjë që në momentin që hipa në malin e thepisur.

—Kërko për ushqim dhe ujë. Mali është vetëm një hap në proçesin e rritjes tënde shpirtërore. Akoma nuk je gati. Më duhet të të kujtoj se unë nuk jap dhurata. Nuk kam fuqi për ta bërë këtë. Jam vetëm shigjeta që të tregon rrugën që duhet ndjekur. Shpella është ajo që të dhuron çfarë ke dëshirë. Quhet shpella e dëshpërimit siç e deshën ata, ëndrrat e të cilëve u bënë të pamundura.

—Do ta provoj. Nuk kam çfarë të humbas. Shpella është shpresa ime e fundit për të patur sukses.

Dhe duke thënë këtë, ngrihem dhe nis sfidën time të parë. Gruaja u zhduk si tymi.

Sfida e Parë

Me një shikim të shpejtë, shoh se para meje është një shteg i shkelur. Filloj të eci teposhtë. Në vend të shkurreve plot me gjemba, gjëja më e mirë do ishte të ndiqja shtegun. Gurët që rrëzohen ndërkohë që eci, më duket se diçka më thonë. A ka mundësi që të jem në rrugën e duhur? Mendoj për gjithçka që lashë pas ndërkohë që jam në kërkim të ëndrrës sime: Shtëpi, ushqim, rroba të pastra dhe librat e mi të matematikës. A ia vlen kjo vallë? Mendja më thotë se do ta zbuloj. (Koha do ta tregojë). Gruaja e çuditshme më duket se nuk m’i ka thënë të gjitha. Sa më shumë që eca, aq më pak e zbulova. Tani që kam mbërritur, nuk m’u duk se maja qe aq e lartë. Një dritë...Shoh një dritë përpara. Më duhet të shkoj atje. Arrij në një lëndinë të madhe ku rrezet e diellit pasqyrojnë qartë pamjen e malit. Rrugës i erdhi fundi dhe tani ajo ndahet në dy shtigje të tjera të veçanta. Çfarë të bëj? Kam ecur për orë të tëra dhe duket se fuqitë më kanë mbaruar. Ulem për të pushuar një moment. Dy shtigje dhe dy zgjedhje. Sa e sa herë në jetë jemi vënë përballë situatave të tilla si kjo; Sipërmarrësi që duhet të zgjedhë midis mbijetesës së kompanisë apo pushimit nga puna të disa punonjësve; Mamaja e varfër në zonat e thella verilindore të Brazilit, e cila duhet të zgjedhë se kë nga fëmijët e saj duhet të ushqejë; Bashkëshorti jobesnik i cili duhet të zgjedhë midis gruas dhe dashnores së tij; Gjithsesi, ka shumë situata të ndryshme në jetë. Avantazhi që kam është se zgjedhja ime do më prekë vetëm mua. Më duhet të ndjek intuitën ashtu siç më sugjeroi gruaja.

Ngrihem dhe zgjedh shtegun në të djathtë. Eci me hapa të mëdhenj dhe nuk zgjat shumë dhe shoh shpejt një lëndinë tjetër. Këtë herë has në një pellg me ujë me disa kafshë rreth e rrotull. Ato po freskohen në ujin e kthjellët dhe të tejdukshëm. Si duhet të vazhdoj? Gjeta ujë më në fund por është i mbushur me kafshë. Pyes zemrën time dhe më thotë se çdokush ka të drejtën për të patur ujë. Thjesht nuk mundem që t’i tremb dhe t’i privoj ato nga uji. Natyra jep burime të bollshme për mbijetesën e njerëzve të saj. Unë jam veçse një fije në pëlhurën që end ajo. Nuk jam aq lart sa ta konsideroj veten padron të saj. Me duart e mia, arrij tek uji dhe e hedh në një vazo të vogël që e solla nga shtëpia. Pjesa e parë e sfidës u kalua. Tani më duhet të gjej ushqim.

Vazhdoj të eci, nëpër shteg, me shpresën që të gjej diçka për të ngrënë. Stomaku po më bën gërr gërr ndërkohë që tashmë ka kaluar mesdita. Nis të vështroj nga të dyja anët e shtegut. Ndoshta ushqimi gjendet brenda në pyll. Sa shpesh kërkojmë rrugën më të lehtë por nuk është ajo që na çon te suksesi? (Jo çdo alpinist që ndjek një shteg të caktuar është i pari që arrin në majën e malit). Rrugët e shkurtra të çojnë shpejt tek objektivi që ke. Me këtë mendim, e lë shtegun dhe fill pas tij gjej një pemë banane dhe arrë kokosi. Ja këtu do ta marr ushqimin. Më duhet të ngjitem nëpër to me po atë forcë dhe besim që ngjita edhe malin. E provoj një, dy, tre herë. Ia dal mbanë. Do të kthehem prapë te kasollja tani pasi sfidën e parë e kalova.

Sfida e Dytë

Me të vajtur te kasollja, gjej rojen e malit e cila duket më madhështore se kurrë ndonjëherë. Ajo nuk i heq sytë prej meje. Mendoj se jam shumë i veçantë për Zotin. E ndjej praninë e tij në çdo moment. Ai më ringjall me të gjitha mënyrat. Kur isha i papunë, Ai më hapi një derë; kur unë nuk kisha ndonjë mundësi për t’u rritur profesionalisht, Ai më dha rrugë të reja; ndërkohë në kohë krize, ai më çliroi nga kthetrat e Djallit. Gjithsesi, ajo pamje aprovuese e gruas së çuditshme më kujtoi njeriun që isha deri më tani. Qëllimi im aktual ishte të fitoja pavarësisht pengesave që më duhej të kapërceja.

—Pra ti dole fitimtar në sfidën e parë. Përgëzimet e mia. (Thirri gruaja). Sfida e parë kishte për qëllim të zbulonte mençurinë dhe aftësinë që ke për të marrë vendime dhe për t’i ndarë ato. Dy shtigjet përfaqësojnë "forcat e kundërta" që sundojnë universin (e mira dhe e keqja). Një qenie njerëzore është totalisht e lirë të zgjedhë ose njërën ose tjetrën. Nëse zgjedh shtegun në të djathtë, do të ndriçohet me ndihmën e ëngjëjve në çdo moment të jetës. Ky është shtegu që zgjodhe ti. Sidoqoftë, nuk është një rrugë e lehtë. Shpeshherë, do të të pushtojnë dyshimet dhe do të pyesësh veten nëse ky shteg vërtet ia vlen. Njerëzit në këtë botë gjithmonë do të të lëndojnë dhe do të përfitojnë nga dashamirësia jote. Akoma më tej, besimi që do kesh te të tjerët gati gati do të të bëjë të zhgënjehesh gjithmonë. Kur të mërzitesh, mbaj mend: Zoti yt është i fortë dhe kurrë nuk do të të braktisë. Kurrë mos e lër veten që pasuria dhe dëshirat e forta të të prishin zemrën. Ti je i veçantë dhe për këtë vlerë që ke, Zoti të konsideron si birin e tij. Kurrë mos e lër veten të biesh nga kjo mirësi. Shtegu në të majtë i takon çdokujt që i ngre krye thirrjes së Zotit. Të gjithë ne kemi lindur me një mision hyjnor. Sidoqoftë, disa devijojnë nga kjo si rrjedhojë e materializmit, ndikimeve të këqija, kalbëzimit të shpirtit. Ata që zgjedhin shtegun në të majtë nuk përfundojnë me një të ardhme të lumtur, na ka mësuar Jezusi. Çdo pemë që nuk jep frute të mira do të shkulet me rrënjë dhe do të flaket në errësirën aty jashtë. Ky është fati që do kenë njerëzit e këqinj pasi Zoti është i drejtë. Atëherë kur ti gjete gropën e ujit dhe ato kafshë të gjora aty, zemra të foli me zë të lartë. Dëgjoje atë gjithmonë dhe do të shkosh larg. Virtyti i ndarjes me të tjerët shkëlqeu tek ty atë moment dhe rritja jote shpirtërore ishte për t’u admiruar. Mençuria që kishe brenda vetes të ndihmoi të gjeje ushqim. Shtegu më i lehtë nuk është gjithmonë ai i duhuri. Mendoj se tani je gati për sfidën e dytë. Për tre ditë do të dalësh jashtë nga kasollja jote dhe do kërkosh një të vërtetë. Vepro sipas ndërgjegjes tënde. Nëse e kalon, atëherë do të shkosh tek sfida e tretë dhe ajo finale.

—Të falenderoj që më shoqërove gjithë këtë kohë. Nuk e di se çfarë më pret në shpellë dhe as nuk e di se çfarë do më ndodhë aty. Ndihma jote është shumë e rëndësishme për mua. Qëkur hipa në mal, e kuptoj se jeta ime ka ndryshuar. Jam më i qetë dhe me më shumë vetëbesim për atë çka dua. Do ta përfundoj edhe sfidën e dytë.

—Shumë mirë. Do shihemi pas tre ditësh duke filluar që nga ky moment.

Dhe duke thënë këtë, gruaja u zhduk edhe një herë tjetër. Ajo më la vetëm në qetësinë e mbrëmjes rrethuar nga bulkthat, mushkonjat dhe insektet e tjera.

Fantazma e Malit

Mbi mal ra nata. Ndeza një zjarr dhe kërcitjet e tij më ngrohin zemrën. Ka kaluar dy ditë që kur hipa në mal dhe ende më duket aq i panjohur. Mendimet më fluturojnë dhe ndalin në fëmijërinë time: Shakatë, frikërat, tragjeditë. Më kujtohet mirë dita kur u vesha dhe u ngallosa si një Indian: Me hark, shigjetë dhe sëpatë. Tani, u gjenda në malin që ishte bërë i shenjtë, pikërisht duke marrë shkas nga vdekja e indigjenit misterioz (Mjeku i fisit). Më duhet ta çoj mendimin diku tjetër pasi frika po ma bën shpirtin akull. Zhurmat shurdhuese rrethojnë kasollen time dhe unë nuk kam asnjë ide se çfarë apo kush mund të jetë. Si e kapërcen një njeri frikën që ka në një moment të tillë? Më jep një përgjigje, ti lexues, pasi unë nuk e di. Mali është akoma i panjohur për mua.

Zhurma po afrohet gjithnjë e më shumë dhe unë nuk kam ku të largohem. Ta braktis kasollen do ishte një budallallëk pasi mund të më kullufisin bishat e egra. Më duhet t’i bëj ballë çfarëdo që të jetë. Zhurma pushon dhe shfaqet një dritë. Kjo më frikëson akoma më shumë. Me guxim të tepruar, flas me zë të lartë:

—Në emër të Zotit, kush është aty?

Një zë hundor, me një tingull të pakuptueshëm, më përgjigjet:

—Jam luftëtari trim që është asgjësuar nga shpella e dëshpërimit. Hiq dorë nga ëndrrat e tua ose do të kesh të njëjtin fat si unë. Kam qenë një njeri indigjen nga një fshat në Kombin Xukuru. Aspiroja të bëhesha kryetari i fisit tim dhe të isha më i fortë se luani. Kështu që iu drejtova malit të shenjtë për të arritur qëllimet e mia. Dola fitimtar te të treja sfidat që më imponoi roja e malit. Prapëseprapë, me të hyrë në shpellë, më gëlltiti zjarri i saj duke më shkatërruar kështu zemrën dhe qëllimet e mia. Sot, shpirti im vuan dhe ka ngecur pa shpresë te ky mal. Dëgjomë ose përndryshe do kesh të njëjtin fat si unë.

Zëri sikur më ngriu në grykë dhe për një moment nuk mund t’i ktheja përgjigje shpirtit të munduar. Ai kishte lënë pas shtëpi, ushqim, një mjedis të ngrohtë familjar. Më kishin mbetur dy sfida në shpellë, në atë shpellë që mund ta bënte të pamundurën realitet. Nuk do të hiqja dorë kaq lehtë nga ëndrra që kam.

—Më dëgjo mua, luftëtar trim. Shpella nuk bën mrekullira për gjëra të parëndësishme. Nëse gjendem këtu, është për një mision fisnik. Nuk më hyjnë në sy të mirat materiale. Ëndrra ime shkon përtej kësaj. Do më pëlqente të zhvillohesha profesionalisht dhe shpirtërisht. Me pak fjalë, dua të punoj duke bërë atë që më kënaq, të fitoj para në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuoj me talentin tim për një univers më të mirë. Nuk do të heq dorë aq kollaj nga ëndrra.

Fantazma u përgjigj:

—A e njeh shpellën dhe kurthet që ka ajo? Ti nuk je gjë tjetër veçse një djalosh i gjorë, i pavetëdijshëm për rrezikun ekstrem në këtë rrugë që po ndjek. Roja është një sharlatane që të ka mashtruar. Ajo do shkatërrimin tënd.

Назад Дальше