Këmbëngulja e fantazmës më mërziti. A më njohu mua ajo, si rastësisht? Zoti, me mëshirën e tij, nuk do ta lejonte që unë të dështoja. Zoti dhe Shën Mëria faktikisht kanë qenë gjithmonë në anën time. Dëshmia e kësaj ishte shfaqja e Shën Mërisë gjatë gjithë jetës sime. Tek "Vegimi i një Mjeti" (libër që ende nuk e kam botuar) përshkruhet një skenë ku unë po ulem në një stol brenda në shesh, zogjtë dhe era po më ngacmojnë, dhe unë jam zhytur në mendime të thella rreth botës dhe jetës në përgjithësi. Papritmas, shfaqet silueta e një gruaje që me të më parë mua, pyet:
—A beson në Zot, biri im?
Shpejt i përgjigjem:
—Sigurisht dhe me gjithë qenien time.
Menjëherë, ajo më vë dorën në kokë dhe lutet:
—Zoti i Gjithëlavdishëm të mbuloftë me dritë dhe të dhëntë shumë dhurata.
Dhe me të thënë këtë, u largua dhe kur e kuptova, ajo nuk gjendej më pranë meje. Thjesht u zhduk.
Ishte shfaqja e parë e Virgjëreshës Mari në jetën time. Dhe prapë e veshur si lypëse, erdhi tek mua duke më kërkuar ca të holla. Tha se ishte një fshatare dhe ende nuk kishte dalë në pension. I dhashë në çast disa monedha që më gjendeshin në xhep. Me të marrë paratë, më falenderoi dhe kur e kuptova, ajo ishte zhdukur. Në atë moment në mal, nuk kisha dyshimin më të vogël që Zoti më donte dhe që e kisha në krah. Prandaj, iu përgjigja fantazmës me njëfarë ashpërsie.
—Nuk do ta dëgjoj këshillën tënde. I di kufijtë e mi dhe besimin tim. Ik, largohu! Shko frikëso ndonjë shtëpi apo ndonjë diçka tjetër. Më lër rehat!
Dritat u fanitën dhe dëgjova zhurmën e hapave teksa largoheshin nga kasollja. Isha çliruar nga fantazma.
Dita D
Kaluan tre ditë që prej sfidës së dytë. Ishte e Premte në mëngjes, me një kohë të kthjellët, plot diell dhe dritë. Këtë mëngjes po sodisja horizontin kur m’u afrua gruaja e çuditshme.
—A je gati? Kërko një ngjarje të pazakontë në pyll dhe vepro sipas parimeve që ke. Kjo është sprova jote e dytë.
—Në rregull, ka tre ditë që po e pres këtë çast. Mendoj se jam i përgatitur.
Gjithë nxitim, u drejtova për nga shtegu më i afërt që të nxirrte tek pylli. Hapat e mi vazhduan nën një ritëm gati muzikor. Çfarë do ishte tani kjo sfida e dytë? Më pushtoi ankthi dhe shpejtova hapin në kërkim të objektivit të panjohur. Mu para meje u shfaq një lëndinë në shtegun që u nda në dy të tjera. Por kur arrita atje, për habinë time nuk kishte më dy shtigje të degëzuara dhe në vend të kësaj po shihja këtë skenë: një djalë që po tërhiqej zvarrë nga një i rritur, dhe që po qante me të madhe. Më përfshinë emocionet para kësaj mizorie dhe kështu që thirra me të madhe:
—Lëre djalin! Ai është më i vogël dhe i pambrojtur.
—Jo. Nuk do ta lë! Po sillem kështu me të pasi ai nuk do të punojë.
—Ti ore përbindësh! Fëmijët e vëgjël nuk duhet të punojnë. Ata duhet të mësojnë dhe të jenë të arsimuar. Lëre rehat!
—E ça do më bësh, ti?
Unë jam krejtësisht kundër dhunës por në atë moment zemra më tha të reagoja para këtij plehre. Djali duhej të shpëtonte.
Me butësi e shtyva djalin nga ai kafshë dhe pastaj nisa të qëlloja atë njeri. Bastardi reagoi dhe më dha ca goditje. Njëra prej tyre më ra keq fare. Bota u rrotullua dhe një erë e fortë, depërtuese më pushtoi në gjithë qenien time: re te bardha dhe blu së bashku me zogjtë e shpejtë më kapluan mendjen. Në një moment, m’u duk sikur i gjithë trupi po endej nëpër qiell. Një zë i mekur më thirri nga larg. Në një moment tjetër m’u bë sikur po kaloja nëpër dyer, si të ishin pengesa njëra pas tjetrës. Dyert ishin të kyçyra mirë dhe m’u desh të bëja goxha përpjekje për t’i hapur. Çdo derë të nxirrte ose në sallone ose në faltore, në mënyrë të alternuar. Në sallonin e parë gjeta të rinj të veshur me të bardha, të mbledhur rreth një tryeze, në mes të së cilës gjendej një bibël e hapur. Kishte virgjëresha të përzgjedhura për të mbretëruar në botën e ardhme. Një forcë më nxori jashtë nga dhoma dhe kur hapa derën e dytë, përfundova në faltoren e parë. Në anë të altarit, po digjeshin shkopa temjani me lutjet e të varfërve të Brazilit. Në pjesën në të djathtë, po thoshte lutjet një prift me zë të lartë dhe që papritur nisi të përsëriste: Profeti! Profeti! Profeti! Pranë tij gjendeshin dy gra me bluza të bardha. Në to shkruhej: Ëndërr e mundur. Gjithçka nisi të errësohej, dhe kur u orientova pashë se po më tërhiqnin zvarrë me forcë dhe me një shpejtësi të atillë saqë m’u morën mendtë. Hapa derën e tretë dhe këtë herë gjeta një grup njerëzish të mbledhur: Një pastor, një prift, një Budist, një Spiritualist, një Hebre dhe një përfaqësues i feve Afrikane. Ata ishin vendosur në rreth dhe në mes kishte një zjarr, flakët e të cilit përvijonin emrin, "Bashkimi i njerëzve dhe rruga tek Zoti." Në fund, ata më përqafuan dhe më ftuan tek grupi. Zjarri nga mesi, erdhi tek dora ime dhe vizatoi fjalën "stazh pune për fillestarë." Zjarri ishte dritë e pastër dhe nuk më dogji. Grupi u nda, zjarri doli dhe mua përsëri më nxorën nga dhoma nga ku hapa derën e katërt. Faltorja e dytë ishte krejt e zbrazët dhe unë iu afrova altarit. U ula në gjunjë në nderim për Sakramentin e Bekuar, mora një letër që gjendej mbi dysheme dhe shkrova lutjen time. E palosa letrën dhe e vendosa në këmbë të ikonës. Zëri që ishte shumë larg u bë më i qartë dhe i mprehtë. Lashë faltoren, hapa derën dhe më në fund u zgjova. Pranë meje gjendej roja e malit.
—Kështu pra, ti tani je zgjuar. Përgëzime! E fitove sfidën. Sfida e dytë kishte për qëllim të zbulonte aftësinë e vetes tënde dhe të veprimit. Të dyja rrugët që përfaqësonin "Forcat e Kundërta" u bënë një dhe kjo do të thotë se duhet të udhëtosh tek e djathta pa harruar dijen që do të fitosh sapo të takosh të majtën. Qëndrimi yt e shpëtoi fëmijën pavarësisht se ai nuk e kishte të nevojshme. E gjithë ajo skenë ishte një inskenim që bëra me mendjen time për të vlerësuar ty. Ti pate qasjen e drejtë. Shumica e njerëzve kur përballen me skena mizorie dhe padrejtësie preferojnë të mos ndërhyjnë. Indiferentizmi është një mëkat serioz dhe personi bëhet bashkëfajtor me atë që e kryen aktin. Ti dhe nga vetja jote, ashtu siç dha Jezu Krishti për ne. Ky është një mësim që do ta marrësh me vete gjatë gjithë jetës tënde.
—Faleminderit për përgëzimet që me dhe. Do të veproj gjithmonë në favor të atyre që janë të përjashtuar. E paqartë për mua është përvoja shpirtërore që pata më parë. Çfarë do të thotë kjo? A mund të ma shpjegosh të lutem?
—Ne të gjithë kemi aftësinë për të depërtuar në botërat e tjera nëpërmjet mendimit. Kjo është ajo që quhet udhëtim yjësor. Ka disa ekspertë në lidhje me këtë punë. Ajo çfarë pe duhet të jetë e lidhur me të ardhmen tënde apo të ardhmen e ndonjë personi tjetër, kurrë nuk i dihet.
—E kuptoj. U ngjita në mal, përfundova dy sfidat e para dhe duhet të rritem shpirtërisht. Mendoj se së shpejti do të jem gati për t’u përballur me shpellën e dëshpërimit. Shpella që bën mrekullira dhe i bën ëndrrat më të realizueshme.
—Ti duhet ta bësh sfidën e tretë dhe unë do të të tregoj se çfarë do ndodhë nesër. Do presësh udhëzimet e mia.
—Po, Gjeneral. Do të jem në pritje gjithë ankth. Ky Fëmijë i Zotit, siç ti më ke quajtur, është shumë i uritur dhe do përgatisë një supë më vonë. Jeni e ftuar zonjë.
—Shkëlqyeshëm. Unë e dua supën. Do ta përdor këtë si një avantazh timin për të të njohur më mirë ty.
Gruaja e çuditshme u nis dhe më la vetëm në mendimet e mia. Vajta të kërkoja në pyll për diçka me të cilën të bëja supën.
Vajza e Re
Mali tashmë ishte bërë i errët ndërkohë që supa ishte gati. Era e ftohtë e natës dhe krikritë e insekteve e bënin ambjentin akoma dhe më rural. Gruaja e çuditshme ende nuk kishte ardhur te kasollja. Shpresoj t’i kem vënë të gjitha në rregull kur të mbërrijë ajo. Provoj supën: Me të vërtetë ishte e mirë edhe pse nuk i kisha të gjitha elementet që duheshin. Dal jashtë nga kasollja vetëm për pak dhe sodis parajsat: Yjet janë dëshmitarë të përpjekjeve të mia. U ngjita lart në mal, gjeta atje rojen e tij, kalova dy sfidat (njëra më e vështirë se tjetra), takova një fantazmë dhe akoma po rezistoj. "Të varfërit luftojnë më shumë për ëndërrat e tyre." Shoh se si janë vendosur yjet dhe ndriçimin që japin. Secili ka rëndësinë e vet në universin e madh ku ne jetojmë. Po kështu edhe njerëzit kanë gjithashtu rëndësinë e tyre. Ata janë të bardhë, të zinj, të pasur, të varfër, të fesë A, apo të fesë B apo të ndonjë sistemi tjetër besimi. Ata të gjithë janë fëmijë me të njëjtin baba. Unë gjithashtu dua të zë vendin tim në këtë univers. Jam një qenie mendimtare pa kufij. Mendoj se një ëndërr nuk ka çmim por unë jam i gatshëm të paguaj për të me qëllim që të hyj në shpellën e dëshpërimit. Sodis parajsat edhe njëherë tjetër dhe pastaj kthehem në kasolle. Nuk u habita kur gjeta rojen aty.
—Keni shumë që jeni këtu? Nuk e kuptova fare.
—Ti ishe aq i mbërthyer pas soditjes së parajsave saqë unë nuk dëshiroja ta shkëpusja magjinë e atij momenti. Dhe përveç kësaj, unë ndihem këtu si në shtëpinë time.
—Shumë mirë. Ulu në këtë stol që kam sajuar. Do të të sjell supën.
Me supën akoma të nxehtë, i shërbeva gruas së çuditshme me një pagure që gjeta në pyll. Era e natës më përkëdhelte fytyrën dhe më pëshpëriste fjalë në vesh. Kush ishte ajo grua e çuditshme së cilës po i shërbeja? Pyes veten nëse ajo donte vërtet të më shkatërronte ashtu siç nënkuptoi fantazma. Kisha shumë dyshime rreth saj dhe kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për t’u qartësuar.
—A është e mirë supa? E përgatita me kujdesin më të madh.
—Është e mrekullueshme! Me se e përgatite?
—Është përgatitur me gurë. Thjesht shaka! Bleva një zog nga një gjuetar dhe mora edhe disa erëza natyrale nga pylli. Por, të ndërrojmë temë, kush je ti në të vërtetë?
—Është shenjë respekti ndaj të zotit të shtëpisë nëse flet më parë për veten tënde. Kanë kaluar katër ditë që kur ke ardhur këtu në majë të malit dhe nuk e di akoma se si e ke emrin.
—Shumë mirë. Por është histori e gjatë. Bëhu gati. Më quajnë Aldivan Teixeira Tôrres dhe jap lëndën e Matematikës në kolegj universitar. Dy pasionet e mia më të mëdha janë letërsia dhe matematika. Kam qenë gjithmonë një adhurues i librave dhe kam dashur qysh i vogël, që të shkruaj një libër timin. Kur isha në vitin e parë të shkollës së mesme, mblodha fjalë të mençura dhe proverba, si copëza nga librat e Eklesiastesit. Isha shumë i lumtur pavarësisht se tekstet nuk ishin të miat. Ia tregoja gjithkujt, me shumë krenari. Mbarova Shkollën e Mesme, bëra një kurs për kompjuter dhe e ndalova studimin për pak. Paskëtaj provova një kurs teknik në një kolegj lokal. Sidoqoftë, e kuptova se nuk ishte fusha ime, ishte thjesht fati që e dëshmoi. U përgatita për një stazh pune në këtë fushë. Gjithsesi, në ditën përpara provimit një forcë e pazakontë më kërkonte vazhdimisht që të hiqja dorë. Sa më shumë që kalonte koha, aq më shumë presion ndjeja nga kjo forca derisa vendosa mos ta bëja provimin. Presioni u largua dhe zemra ra në qetësi. Mendoj se ishte fati që nuk më la të shkoja. Ne duhet të respektojmë limitet tona. Unë bëra disa aplikime, më aprovuan dhe aktualisht kam postin e asistentit administrativ në fushën e arsimit. Para tre vitesh më erdhi një tjetër dëshmi e fatit. Pata ca probleme dhe përfundova me dobësi nervore. Atëherë nisa të shkruaj dhe në një kohë të shkurtër kjo më ndihmoi që të bëhesha më mirë. Si rezultat doli libri "Vegimi i një Mjeti” të cilin akoma nuk e kam botuar. E gjitha kjo nxori në pah aftësinë time për të shkruar dhe për të patur një profesion të denjë. Kjo është ajo çfarë mendoj: Unë dua të punoj duke bërë atë që më pëlqen dhe dua të jem i lumtur. A është shumë kjo që kërkon një njeri i varfër?
—Natyrisht që jo, Aldivan. Ti ke talent dhe kjo gjë është e rrallë në këtë botë. Ti do kesh sukses në kohën e duhur. Fitimtarë janë ata që besojnë tek ëndrrat e tyre.
—E besoj. Ja përse gjendem këtu në mes të asgjëkundit ku komoditetet e qytetërimit ende nuk kanë mbërritur. Gjeta një mënyrë për të hipur në mal, për të kapërcyer sfidat. E gjitha ça më ka mbetur tani është të hyj në shpellë dhe të realizoj ëndrrat e mia.
—Jam këtu për të të ndihmuar. Kam qenë roja e malit qëkur është bërë i shenjtë. Misioni im është të ndihmoj gjithë ëndërrimtarët që kërkojnë shpellën e dëshpërimit. Disa kërkojnë të realizojnë ëndrrat materiale të tilla si para, pushtet, luks shoqëror ose ëndrra të tjera egoiste. Të gjithë deri tani kanë dështuar, dhe nuk kanë qenë pak. Shpella është e drejtë në plotësimin e dëshirave.
Biseda vazhdoi gjallërisht edhe për ca kohë. Dalngadalë po humbja interesin ndërkohë që një zë i pazakontë më thirri nga jashtë kasolles. Çdo herë që më thërriste zëri, ndjehesha i detyruar që të dilja jashtë prej kureshtjes. Duhej të ikja. Duhej të dija se çfarë donte të thoshte ai zë në mendimet e mia. Gjithë mirësjellje, u përshëndeta me gruan dhe u nisa në drejtimin nga vinte zëri. Çfarë më pret? Le të vazhdojmë së bashku, lexues.
Nata ishte e ftohtë dhe zëri insistues më rrinte prapë në mend. Kishte një lloj lidhje të çuditshme mes nesh. Tanimë kisha ecur disa këmbë jashtë kasolles por më dukej se ishin me milje për shkak të lodhjes që po ndieja në trup. Udhëzimet që kisha marrë në mendjen time më udhëhoqën nëpër errësirë. Më pushtoi një ndjenjë e përzier me ankth, frikë nga e panjohura dhe kureshtje. I kujt ishte ky zë i çuditshëm? Çfarë donte prej meje? Malin dhe të fshehtat e tij... Qëkur arrita të njoh malin, mësova ta respektoja. Roja dhe misteret e saj, sfidat me të cilat duhej të përballesha, takimi me fantazmën; gjithçka u bë e veçantë. Nuk ishte mali më i lartë në zonën e verilindjes apo edhe më mbresëlënësi, por ishte i shenjtë. Mitet e njeriut të mjekësisë dhe ëndrrat e mia më kishin çuar tek ai. Dua t’i fitoj të gjitha sfidat, të hyj në shpellë dhe të shpreh kërkesën time. Do të jem një njeri krejt ndryshe. Nuk do të jem më unë, por do të jem njeriu që kaloi shpellën dhe zjarrin e saj. Më kujtohen mirë fjalët e rojes, që mos të besoj shumë. Më kujtohen fjalët që Jezusi tha:
-—Ai që beson tek mua do të ketë jetë të përjetshme.
Rreziqet e ndërmarra nuk do më bëjnë të lë në mes ëndrrat e mia. Është ky mendim që më bën të kem edhe më shumë besim. Zëri bëhet akoma edhe më i fortë. Ma ha mendja se po arrij në destinacion. Drejt përpara, shoh një kasolle. Zëri më thotë të shkoj aty.
Kasollja dhe zjarri i madh dhe i shndritshëm brenda saj ndodhen në një vend të sheshtë, dhe të gjerë. Një vajzë e re, e gjatë dhe e hollë me flokë të zeza po pjek mbi zjarr një tip ushqimi të shpejtë.
—Kështu pra, erdhe. E dija se do t’i përgjigjeshe thirrjes sime.
—Kush je ti? Çfarë do prej meje?
—Jam një tjetër ëndërrimtare që dëshiron të hyjë në shpellë.
—Çfarë fuqish të veçanta ke që më thërret me mëndjen tënde?
—Është telepati, budalla. Nuk ke dijeni për të?
—E kam dëgjuar. A mund të ma mësosh?
—Ti do ta mësosh një ditë por jo prej meje. Më thuaj çfarë ëndrre të solli këtu?
—Pikësëpari, më quajnë Aldivan. U ngjita në mal me shpresën për të gjetur forcat e mia të kundërta. Ato do përcaktojnë fatin tim. Kur dikush është në gjendje të kontrollojë forcat e kundërta, atëherë ai do arrijë të bëjë mrekullira. Kjo është ajo çka më nevojitet për të përmbushur ëndrrën time duke punuar në një fushë që më pëlqen dhe me të cilën do të bëj shumë shpirtra të ëndërrojnë. Dua të shkoj brenda në shpellë jo vetëm për vete por për të gjithë universin që më ka dhënë këto dhunti. Do të kem vendin tim në botë dhe në këtë mënyrë do të jem i lumtur.
—Emri im është Nadja. Jam një banore e bregdetit Pernambucan. Dëgjova në vendin tim të flitet për këtë mal çudibërës dhe shpellën e tij. Menjëherë u interesova për të ndërmarrë këtë udhëtim edhe pse kisha mendimin se gjithçka ishte vetëm një legjendë. Mblodha plaçkat, u nisa, erdha në Mimoso dhe vajta lart në mal. Qëllova në shenjë. Tani që gjendem këtu, do të hyj brenda në shpellë dhe do të përmbush dëshirën time. Do të jem një Perëndeshë e madhërishme, e stolisur me pushtet dhe pasuri. Të gjithë do të jenë në shërbimin tim. Ëndrra jote është thjesht një ëndërr koti. Pse kërkon kaq pak kur mund të kemi gjithë botën?
—E ke gabim. Shpella nuk bën mrekullira të një rëndësie të vogël. Nuk do t’ia dalësh mbanë. Roja nuk do të të lërë të hysh. Për të hyrë në shpellë duhet të kalosh tre sfida. Unë tashmë i kam fituar dy nga fazat. Sa ke fituar ti?
—Sa kot fare, sfida dhe roje. Shpella respekton vetëm atë që është më i fortë dhe që ka më shumë vetëbesim. Nesër do t’i përmbush ëndrrat e mia dhe nuk do më ndalë askush, më dëgjon?