Rektori pa Drew-në me pamje pyetëse.
<Do të thuash që i keni dërguar ju, natën, gjithë ato sende mbi karrigen e Bryce?>
<Po, kështu është. I njoha objektet. Kishin të gjitha formën që prisja dhe materialet ishin të njëjtat. I dërguam ne atje.>
McKintock ndryshoi plotësisht shprehje, u përpoq të përmbahej, por në pak sekonda filloi të qeshë gjithë kënaqësi, dhe si Drew dhe Marron iu bashkuan pa u përmbajtur.
<Me gjithë ato vende ku mund të shkonin, pikërisht tek Bryce ah ah ah!>, rektori u bë blu nga të qeshurat.
<E pe fytyrën e saj? Dukej si apokalipsi i kthyer në grua eh eh eh!>, ia ktheu Drew.
Marron qeshte në mënyrë të hallakatur, duke mbajtur barkun me dorë.
Kukurisja e përgjithshme zgjati disa sekonda, pastaj gradualisht iu kthyen normalitetit.
McKintock ishte i pari që foli.
<Mirë, i dashur Drew, duket që zbulimi yt është vërtet një zbulim, meqë unë nuk i kam krahët të gjata treqind metra dhe nuk do kisha mundur ta bëja,> pa profesorin e fizikës me pamje provokuese, <pra tani çfarë ke ndërmend?>
Drew nuk iu përgjigj provokimit, duke u mjaftuar të ngrinte lart vetullat si i çuditur.
<Kam ndërmend ta bëj publik zbulimin, ndërkohë dua tu transmetoj detajet e eksperimentit kolegëve të huaj me të cilët jemi në kontakt si Universitet, në mënyrë që të mund ta riprodhojnë dhe ta studiojnë. Kemi nevojë për ndihmën e tyre për të përcaktuar teorinë që >
<Qetë, qetë, Drew. Mos u nxito.>, e ndërpreu rektori. <Të bësh publik zbulimin dakord, por të transmetosh detajet nuk më duket ky rasti. Shiko, universiteti ynë ka nevojë për para, shumë nevojë, dhe nëse ky zbulim mund të na i sjellë, atëherë duhet ti mbajmë për vete detajet dhe të shfrytëzojmë në maksimum avantazhin që kemi, domethënë atë të të qënurit të vetmit në botë që zotërojmë këtë teknologji.>
Drew mbeti për një çast i paralizuar. Nuk e priste një sjellje të tillë. Ai e kishte menduar shkencën si diçka për tu ndarë me të tjerët, në mënyrë që njerëzimi të mund të zhvillohej sa më shpejt të ishte e mundur dhe në mënyrë harmonike, për interesin e përbashkët. Duhet të luftonte.
<McKintock, skocez i mallkuar!>, sulmoi me inat sapo morri veten, <E kupton se çfarë po thua? Për një dorë lekësh që nuk do kishte ndonjë rëndësi për një Universitet si i yni, që është nga më të financuarit në të gjithë Britaninë e Madhe, ti pretendon që zbulimi i Marronit dhe imi të mbeten të kufizuara në këto katër mure. Si mund të përparojë shkenca? Si mund të përparojë njerëzimi? Mendo sikur>, kërkoi një shembull që rektori të mund ta kuptonte, <nëse Guglielm Marconi të mos kishte ndarë me të tjerët shpikjen e radios. Tani nëse ti do doje të blije një radio do duhej të shkoje tek pasardhësit e tij, gjithmonë nëse prodhojnë akoma radio, ose të heqësh dorë dhe të gjesh diçka tjetër që të të bëjë shoqëri ndërsa udhëton për në Liverpool kur shkon tek mikesha jote. Për shembull një carillon.>
McKintock nuk u dekurajua.
<Hëm, përse, si mendon se mund të nxjerr para nga zbulimi yt?>
<Epo, duke organizuar seminare, duke shkruar artikuj për revistat e fushës>
<Drew, je një fizikant i shkëlqyer patjetër, por nuk e ke sensin praktik. Nuk ke menduar se pajisja jote, përshtatshmërisht e rregulluar, mund të shërbente për të transferuar materiale për qëllime tregtare? Aktualisht nëse duam të dërgojmë një pako nga Manchester-i në Pekin duhet të përdorim një shërbim postar që kërkon ditë, në rastin më të mirë, dhe kushton goxha. Me dispozitivin tënd trasferimi do të bëhej në çast, duke paguar për shembull gjysmën e kostos së postës, do të ishte jashtëzakonisht e përshtatshme. E ke idenë se sa pako dërgohen nga Manchester- i, në një ditë të vetme? Unë jo, por besoj që janë me mijëra. Mendo për tregun në gjithë Aglinë, Evropën, botën>
Drew ishte konfuz. Nuk kishte menduar për këto mundësi dhe tani po fillonte të kuptonte pikëpamjen e rektorit, por kjo nuk e hutonte nga kryqëzata e tij për shkencën.
<Dëgjo, McKintock, programet tregtare mund të studiohen në kohën e duhur, por tani eshtë absolutisht e domosdoshme të përcaktojmë një teori që të shpjegojë funksionimin e pajisjes dhe të na lejojë ta rregullojmë në mënyrë të përshtatshme. Pa këtë teori dispozitivi është plotësisht i papërdorshëm, vetëm nëse ti do kufizohesh me dërgimin e karameleve në karrigen e Bryce. Efekti i shkëmbimit eshtë plotësisht jashtë çdo teorie të njohur, dhe është shumë e vështirë që vetëm unë dhe Marron, edhe pse me ndihmën e kolegëve të mi që punojnë këtu, të arrijmë në një rezultat të kënaqshëm në kohë të arsyeshme. Pasi të kemi një teori, do të na duhet pastaj të ndërtojmë pajisje të tjera dhe të studiojmë si ti përmirësojmë dhe ti bëjmë sa më efikase. Me një fjalë, kemi nevojë për ndihmën e mendjeve më të mira në qarkullim, dhe kjo gjë nuk është në shit-blerje.>, përfundoi Drew me vendosmëri.
Rektori peshoi me kujdes argumentat e Drew-së, dhe në fund u bind që për të nxjerrë para nga dispozitivi ishte e nevojshme të dihej si funksiononte dhe përse funksiononte.
<Në rregull, Drew, më binde. Do ta bëjmë kështu: zgjedhim një grup të ngushtë shkencëtarësh që mund tju besojmë, merremi vesh me ta për një kompensim të përshtatshëm në këmbim të bashkëpunimit që do na ofrojnë, iu transmetojmë atyre informacionet dhe të përpiqemi të arrijmë sa më shpejt të jetë e mundur në përcaktimin e teorisë për të cilën po flet. Kur të kemi teorinë dhe pajisjet funksionuese siç duam ne, vetëm atëhere do ta bëjmë publik zbulimin. Deri në këtë moment nuk duhet të flisni me asnjë, pa autorizimin tim.>
Drew nuk ishte i kënaqur. Ishte një idealist dhe nuk arrinte të konceptonte që çdo gjë të lidhej me paranë e kotë.
<Por zhvillimi, shkenca>, filloi me ton të hidhur, por McKintock e ndërpreu.
<Bota do të përparojë dhe shkenca do të pasurohet me zbulimin tuaj, por nuk shikoj asgjë të keqe nëse kjo do të ndihmojë edhe në rritjen e të ardhurave të këtij Universiteti. Kemi vërtet nevojë për para, Drew, dhe më beso nëse të them që më duhet të kapem pas çdo gjëje që më rrethon mjaft të nxjerr ndonjë kacidhe më shumë. Mirë, ramë dakord.>, vendosi në mënyrë të vetme. <Përgatit listën e shkencëtarëve për të kontaktuar dhe pastaj eja ma trego. Do të veprojmë shpejt.>
Drew u mund, i demoralizuar.
<Mirë,>, ia ktheu me zë të thatë, <shihemi pasdite.>
U ngrit dhe, i ndjekur nga Marron që nuk kishte thënë një fjalë gjatë gjithë takimit, doli nga zyra.
Ajri i freskët i marsit hyri në mushkritë e tyre, gjallërues, dhe fshiu tutje ndjenjën e shtypjes që po përjetonin. Qielli i kaltër sapo ishte vijëzuar aty këtu nga ciruset e bardha. Dielli shkëlqente i sigurt.
Marroni guxoi:
<Ishte e vështirë, ëë?>
Drew nuk u përgjigj.
Nobeli duhej të priste.
Kapitulli V
<Ooooooouuuuuuaaaaaaargh!>
Ishte natë dhe Marroni përfundoi një përqafim të egër me Charlene Bonneville, të fejuarën e tij. Kishte më shumë se një orë që vazhdonin, dhe gjatë gjithë kësaj kohe kishin bërë një rrëmujë të tillë saqë finalja e madhe nuk kaloi pa u vënë re. Nga dhomat pranë pati reagime të llojeve të ndryshme.
Mjaaaaaaaft! Nuk mundemi mëëëëë! Duam të flemëëëë!>
<Jepi, Charl! Tregoji si jemi gatuar ne të psikologjisë!>
<Ajo ngjyrë çokollata ta shpërthen, eh?>
<PO TË KAPA NESËR DO TI THYEJ KËMBËT!>
Marroni nuk dëgjonte më asgjë, tashmë. Pas performancës ishte shembur përbri Charlene-ës, me barkun lart, dhe e kishte zënë gjumi menjëherë, i lagur nga djersa dhe në gjendje kataleksike. Qartazi kjo ishte një situatë në të cilën ishte abonuar, këto ditë. Nuk kishte hequr akoma preservativin, dhe vajza buzëqeshi duke parë sa qesharak ishte Marron i katandisur ashtu. Pjesëmarrja e saj në përqafim ishte e thellë, si gjithmonë, në fakt edhe asaj i pëlqente të bënte dashuri intensivisht, duke përdorur plotësisht trupin e saj dhe duke shprehur një aktivitet fizik të kënaqshëm, por si shumë femra mbante situatën në kontroll. Mendja e saj ishte gjithmonë në zjarr dhe gjithmonë e kujdesshme si zhvillohej ngjarja. Vlerësonte dhe gjykonte, memorizonte për të ardhmen.
Marron, përkundrazi, iu dorëzohej plotësisht instikteve të lashta, kthehej në një kafshë të udhëhequr nga hormonet dhe po ashtu sillej. Finalja e tij e përqafimit ishte shpesh piroteknike, por atë mbrëmje kishte arritur një dalldi më të madhe se herët e tjera.
Charlene shkoi në banjë për të bërë një dush, dhe ndërkaq mendonte për djalin.
Intuita shumë e diskutueshme femërore është një e vërtetë e thellë, në fakt ajo ndiente që kishte diçka të re tek i fejuari i saj. Mund të ishte ndoshta një tërheqje e shtuar ndaj saj, por nuk i dukej e mundur, pasi Marron ishte aq i dashuruar saqë një tërheqje më e madhe nuk do kishte qenë e mundur.
Uji rridhte i nxehtë dhe i këndshëm, e masazhonte bujarisht dhe e gjallëronte, pas gjithë asaj lëvizjeje.
Jo, është diçka tjetër., mendoi Charlene, Më shumë se një herë dukej sikur ishte gati të më thoshte diçka, sonte, por gjithmonë hezitonte. Kushedi pse.
Mbylli ujin e dushit dhe u mbështoll me një rrobdishan të verdhë, të butë dhe të sfungjertë.
U fshi me vrull, duke fërkuar me energji gjithë trupin dhe duke tharë flokët, në fund filloi me tharësen.
Nuk duhet të jetë e vështirë për ta zbuluar.., përfundoi me një buzëqeshje të djallëzuar.
Kapitulli VI
Po atë mbrëmje, rektori McKintock kishte mbyllur një ditë tjetër pune në Universitet. Kishte qenë një ditë e vështirë, si zakonisht. Drejtimi i një strukture gjigande si ajo ishte një detyrë jashtëzakonisht komplekse dhe në të njëjtën kohë mosmirënjohëse, pasi vendimet e marra në dobi të dikujt do mërzisnin patjetër dikë tjetër, dhe me një organikë prej dhjetëmijë mësuesish, statistika vepronte në mënyrë të përpiktë dhe të pashmangshme: çfarëdo gjëje që ai të bënte, ishte i destinuar të bënte çdo ditë ndonjë armik të ri. Një armik që do donte ta bënte pastaj për vete, ndoshta duke pranuar ndonjë lëvizje të tij pa shumë ankesa, gjë që do ti siguronte sërish armiq të rinj diku tjetër.
Mirë, kjo ishte puna e tij, dhe fati i tij. I dashur, i respektuar, dhe njëkohësisht i urryer dhe i përqeshur. Dhe asnjëherë nga të njëjtët persona për pak më shumë javë në vijim.
Të paktën të kishte patur një armik të identifikuar mirë, nga i cili të ruhej. Përkundrazi, ndërsa ecte nëpër rruginat jeshile që të çonin në ndërtesa të ndryshme të komplesit universitar, ose ndërsa kalonte pranë ndonjë zyre mbushur me mësues, ose duke kaluar nëpër korridoret midis klasave, i dukej sikur ishte në një shteg të pushtuar nga snajperët, gati ti gjuanin në lëvizjen e parë të gabuar. Profesori që sot e përshëndeste i buzëqeshur mund të ishte i njëjti që pas një muaji ose dy do ta kishte përdhosur dhe përçmuar me kolegët.
Ishte një jetë e neveritshme, por këtë kishte zgjedhur, dhe për të cilën ishte zgjedhur, tetë vite më parë. Por shpërblimi ishte i madh. Ai drejtonte Universitetin më të rëndësishëm të vendit dhe kjo i jepte një prestigj të pafund, një afirmim personal që pak njerëz mund ta provonin, dhe që shumë mund ta kishin zili.
Prandaj ishte i vetmuar.
I vetëm si nje qen endacak. Nga lartësia e kulmit të fuqisë së tij të madhe, largësia me njerëzit që e rrethonin ishte e tillë që raportet njerëzore ishin të pamundura.
Gruaja i kishte ikur vite më parë, tashmë, duke e arshivuar atë si një organizëm difektoz që funsiononte vetëm në fushën e punës, ushqyer nga mendjemadhësia dhe vetëkënaqësia, ndërsa në shtëpi, si burrë, ishte komplet i padobishëm dhe i paaftë. Nuk dinte ta kuptonte, nuk dinte as sesi arsyetonte një grua, i përqëndruar në ngritjen e tij në detyra gjithmonë e më të rëndësishme dhe prestigjioze, por në të njëjtën kohë i thatë dhe i shkëputur nga ndjenjat. Nuk kishin fëmijë, pra kur asaj i erdhi në majë të hundës të jetuarit si një e afërme e dhembshur, thjesht kishte ndërruar adresë dhe i kishte kryer gjithë praktikat e divorcit nëpërmjet një shoqeje të saj avokate. Që atëhere nuk kishin folur më.
Fillimisht, McKintock nuk e kishte kuptuar çkishte ndodhur. Nuk kalonte shumë kohë në shtëpi, dhe kur ishte nuk ishte i prirur në marrëdhëniet familjare. Stresi i punës shkarkohej në atë pengesë, dhe të kishte gruan nëpër këmbë e bezdiste goxha. Zgjidhte të rrinte vetëm, në kopësht ose në bibliotekë.
Por, pas rreth një jave nga largimi i saj, McKintock duke u kthyer në shtëpi kishte gjetur gruan që pastronte duke nxjerrë disa valixhe jashtë derës. E pyetur për këtë gjë, ajo kishte marrë një pamje të sikletosur dhe e kishte informuar që e shoqja kishte kërkuar dërgimin e sendeve personale në adresën e re.
Si të ishte zgjuar nga një ëndërr me sy hapur, ai kishte parë përreth, duke kërkuar instiktivisht të shoqen, dhe vetëm atëherë kishte kuptuar situatën reale.
Ishte mbyllur në vetvete, brerë nga ndjenja e fajit, por në të njëjtën kohë i paaftë të kalonte pengesën që ai vetë kishte ndërtuar në shumë vite jetese sterile bashkëshortore.
Dhe kishte filluar jetën e tij si një burrë i vetmuar. Veçse, pak më shumë i vetmuar seç kishte qenë më parë.
Derisa njohu Cynthian.
Rreth një vit më parë kishte vendosur të bënte një javë pushime për të marrë pjesë në një kuvend në Birmingham, dhe pasi eventi do të zgjaste tre ditë rresht kishte marrë një dhomë në hotel.
Një mbrëmje ishte në bar, pas një dite të kaluar duke dëgjuar disa specialistë të mitologjisë greke që debatonin, plot gjallëri, mbi disa përkthime të mundshme për mbishkrimet e gdhendura mbi kapakun e një vazoje të zbuluar së fundmi në Korinth.
Ishte buka e tij, kjo, lënda në të cilën ishte derdhur natyrshëm dhe që e kishte bërë specialitetin e vetë, duke e studiuar për vite e vite, duke mbikqyrur programe të rëndësishme kërkimi dhe duke dhënë këshillimet e veta institucioneve më të mëdha botërore përgjegjëse të ruajtjes së kulturës klasike.
Të gjitha këto derisa detyra e rektorit e vendosi në një dimension të ri, shumë drejtues dhe pak kulturor, edhe pse me fuqinë e tij mikluese. Që atëherë kënaqej duke ndjekur kërkimet e të tjerëve, lexonte publikimet mbi argumentin, merrte pjesë në seminare kur mundej.
Atë mbrëmje nuk kishte gjumë, dhe ulur në banakun e barit të hotelit gllënjkëzonte duke medituar, një whisky me malt të pastër, shumë të vjetër. Ishte klienti i fundit që kishte mbetur, edhe pse nuk ishte shumë vonë. Baristi po shkëlqente për herë të tretë gotat e kristalta. Dritat ishin të zymta, dhe ngjyrat e drurit të çmuar që karakterizonte mobilimin përçonin qetësi, duke e bërë të ndihej rehat.